Një lëkundje sizmike me magnitudë 5.4 ballë e shkallës Rihter ka goditur Greqinë gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës. Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, këtë herë tërmeti u shënua në ishullin e Kretës, 94 kilometra në lindje të Kretës dhe në thellësinë 10 kilometra, në zonën midis Kretës dhe ishullit të Karpathos.

Lëkundja u ndje në të gjithë Egjeun, por banorët e ishullit të Kretës dhe të ishullit Karpathos, ku vala goditëse ishte edhe më e fortë, u shprehën të shqetësuar.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, edhe kjo lëkundje ishte në vazhdën e aktivitetit sizmik të pllakës së Egjeut, një zonë kjo e vlerësuar si tepër aktive prej sizmologëve.

Për momentin nuk janë shënuar dëme të rënda, përveç dëmtimeve në disa godina të vjetra dhe panikut të shpërndarë në turistët e shumtë që vizitojnë këtë periudhë ishujt e Egjeut.

Top Channel