Përmbytjet në Shkodër; qeveria rakordon dëmshpërblimet me debitë e familjarëve ndaj OSHEE

10/06/2015 00:00

Qeveria i ka dhënë fund pritjes 5-vjeçare për t’u kompensuar të banorëve nga Qarku i Shkodrës, të cilët u përmbytën në vitet 2010-2011. Detajet e vendimit të qeverisë për këtë kompensim i dha ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili fillimisht shpjegon përse ky vendim u mor në këtë moment.

“Përmbytjet e këtyre zonave dhe borxhet janë krijuar në periudhën e qeverisjes së djeshme të Partisë Demokratike, por ne kemi marrë që në fillim zotimin për të gjetur një rrugëzgjidhje për këta banorë. Ecuria pozitive e reformës në sektorin energjetik dhe rivendosja e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, na kanë krijuar mundësinë që t’i japim zgjidhje këtij problemi, të lënë zvarrë për shumë vite nga ish-qeveria ‘Berisha’”, tha Damian Gjiknuri.

Gjiknuri shpjegoi metodologjinë sesi do të kryhet kompensimi.

“Kemi bërë një bilanc të detyrimeve, që shteti ka mbetur pa u dhënë banorëve të këtyre zonave të përmbytura, dhe detyrimet, që ata i kanë shtetit në formën e faturave të papaguara të energjisë elektrike. Pra, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer një rakordim të emrave të listës së Emergjencave Civile për banorët e prekur nga përmbytja, dhe detyrimeve të papaguara të tyre ndaj sektorit të energjisë elektrike. Nga ky rakordim janë identifikuar 2868 kontrata, për të cilat do të kryhet procedura e kompensimit me borxhin e akumuluar të energjisë elektrike. Vlera totale, që do të kompensohet me shuarje detyrimi, sipas këtij vendimi arrin në 222,416,775 lekë. Thënë më qartë, që të kuptohet nga opinioni publik; nëse shteti ka një borxh ndaj një banori për dëmshpërblimin, dhe ky i fundit ka gjithashtu një detyrim ndaj OSHEE-së, do të bëhet shuarja me kompensim deri në vlerën më të vogël, sipas shumave tanimë të përcaktuara”, shpjegoi ministri Gjiknuri.

Banorët e prekur nga përmbytja, që sipas këtij vendimi janë në cilësinë e kreditorit, Gjiknuri tha se kanë dhënë pëlqimin për këtë shuarje, nëpërmjet aplikimit të realizuar në zyrat e OSHEE-së, gjatë procesit të rakordimit të të dhënave.

Ministri Gjiknuri  u shpreh se Qeveria e koalicionit të majtë po e mban zotimin e bërë para banorëve të Qarkut të Shkodrës se do të gjente rrugën për dëmshpërblimin e tyre.

Top Channel