Takimi tripalësh Tsipras-Merkel-Hollande (nëse realizohet), shpresa e fundit e grekëve

10/06/2015 00:00

Nën presionin e një pjese të radikalëve të majtë, që shprehen të pakënaqur që po shkelen premtimet ndaj zgjedhësve, për hir të parave të ndihmave nga huadhënësit, kryeministri grek Aleksis Tsipras është nisur drejt Brukselit, me shpresën për të takuar në mbrëmjen e së mërkurës Kancelaren gjermane Merkel dhe Presidentin francez, Hollande.

Takimi, që sipas agjencisë “Reuters” ende nuk është i sigurt, konsiderohet si shpresa e fundit për një marrëveshje të Greqisë me kreditorët, ndërsa klima është tepër e rëndë, pasi huadhënësit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për propozimet e fundit, që u ka çuar Athina ditën e hënë.

Edhe kundërshtimi i kreut të KE-së Jean Claude Junkcer, që të takohet me kryeministrin Tsipras, duke e quajtur takimin humbje kohe, cilësohet si një ogur i keq për Athinën.

“Asgjë nuk është e sigurt. Çdo gjë varet nga propozimi grek, që sapo ka ardhur dhe po studiohet nga ekspertët, për të parë nëse është i konsiderueshëm dhe i mjaftueshëm për të ardhur më afër zgjidhjes”, tha Jeroen Dijsselbloem, kreu i Eurogrupit.

Tsipras shkon në Bruksel duke bërë disa hapa pas, duke rënë dakord me disa prej kërkesave të huadhënësve, por duke kërkuar tolerancë edhe prej tyre. Nga ana tjetër, edhe Kancelarja Merkel nuk e ka aspak të lehtë të kalojë në Bundestag një propozim të ri ndihme për Athinën, kur një pjesë e mirë e grupit parlamentar që e mbështet, kërkon tashmë të marre fund eksperimenti me Greqinë dhe të largohet nga Eurozona.

Por, siç thekson e përditshmja “Der Spiegel”, vërtet që shumë udhëheqës europianë, miq të Gjermanisë, përkrahin politikën e zonjës Merkel, duke mos pranuar dështimin e politikave të saj të kursimit në Greqi në 5 vitet e fundit, por kjo do të ndryshojë kur të vijë fatura e falimentimit grek, që përllogaritet në mbi 1 trilion euro.

“Ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka me forcën tonë, për të mbajtur Greqinë në Eurozonë, por ka disa ministra të Financave, durimi i të cilëve po mbaron”, tha Aleksandër Stub, ministër i Financave në Finlandë.

Greqia ka afat vetëm disa ditë të arrije një marrëveshje, duke pranuar reforma dhe masa shtrënguese për ekonominë, në mënyrë që të marrë paratë e ndihmës dhe të mos detyrohet të largohet nga Eurozona.

Grekët, shumica e të cilëve – sipas sondazheve të fundit, – vazhdojnë të mbështesin radikalët e majtë, ndjekin me shqetësim zhvillimet e fundit, duke besuar se zgjidhja e ngërçit për shpëtimin e vendin e tyre do të vijë më në fund nga partnerët dhe jo nga fuqi të mbinatyrshme.

Top Channel