Has e Kukës, Rama premton ujësjellësin, rrugën e Shishtavecit dhe tregun e patates

10/06/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ishin së bashku në Has dhe Kukës, ku prezantuan kandidatët e mazhorancës për këto bashki. Meta i cilësoi këto zgjedhje si më demokratiket dhe më të qetat, ndërsa kryeministri Rama bëri tre premtimet më të rëndësishme për banorët e kësaj bashkie si, ndërtimi i ujësjellësit, ndërtimi i rrugës së Shishtavecit dhe i tregut të patates.

Kreu Kuvendit, Ilir Meta nga Hasi i dërgoi  një ftesë opozitës.

“E ftojmë Partinë Demokratike të mos i demotivojë anëtarët e simpatizantët e saj me gjithfarë skenarësh imagjinarë, sepse këto janë zgjedhjet më të qeta, më demokratike, më europiane që janë zhvilluar në Shqipëri dhe kjo falë respektit që ne kemi treguar si mazhorancë ndaj institucioneve duke përfshirë këtu edhe KQZ-në, e cila ka po atë shumicë që kishte edhe në kohën e Saliut, sepse ne nuk e bazojmë suksesin tonë në zgjedhje as tek shumicat në KQZ, dhe as në përdorimin e shtetit, por e bazojmë vetëm tek vullneti i lirë i gjithë qytetarëve të Hasit dhe të Shqipërisë”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama u tha hasianëve se, “duke i besuar votën Ademit, ne do të ndjehemi 100-fish të detyruar, për t’ju kthyer investimin e  votës”.

Për Hasan Halilin, i cili garon në Kukës për një mandat të dytë, motoja e punës do të jetë sa më shumë shërbime ndaj komunitetit dhe punësim”.

“Ndihma ekonomike, tha Halili, nuk do të përdoret për presione vote, por për ata që realisht janë të varfër”.

Kryeministri Rama vlerësoi angazhimin e Hasan Halilit duke bashkëpunuar në zgjidhjen e problemeve, që siç tha ai, kurrë nuk u zgjidhën nga PD.

“Kemi arritur të adresojmë në radhë të parë problemin e ujit të pijshëm. Kur ne të vijmë përsëri këtu pas dy vjetësh, uji i pijshëm do të jetë problem i zgjidhur që do t’i përkasë të shkuarës”, premtoi Rama.

Kryeministri tha se ka ardhur momenti që edhe sheshi i Kukësit t’i bashkohet rilindjes urbane.

“Të dielën e ardhshme në këtë shesh çelet kantieri i madh i rilindjes urbane të qytetit të Kukësit, duke e kthyer këtë hapësirë në një hapësirë të kujtesës historike dhe të frymëzimit për të ardhmen, ku do të jenë së bashku, Skënderbeu dhe kujtesa e atij momenti që e vuri Kukësin në qendër të historisë europiane”, deklaroi Rama.

Rama u angazhua në bërjen realitet të 3 kërkesave të kahershme të kuksianëve të parealizuara ndër vite nga PD.

“Uji i pijshëm është i zgjidhur, rruga e Shishtavecit është drejt përfundimit. Ne nuk kemi shkuar atje për të prerë shirita me daulle. Ne do të shkojmë atje për të lidhur përfundimisht pikën më intensive të prodhimit të patates me tregun përmes një rruge të re të standardeve europiane”, u shpreh kryeministri.

Top Channel