Princi Leka II ka vizituar Kumanovën, një muaj pas incidentit të armatosur në Lagjen e Trimave. Ai ka ngushëlluar banorët për tmerrin e përjetuar gjatë luftimeve, duke shprehur keqardhjen për atë çfarë ka parë në këtë lagje.

“Sot kemi ardhur bashkë me nusen time Elia Zaharia për të vizituar familjet e Kumanovës dhe kemi ardhur këtu për t’u shprehur ngushëllimet tona. Vërtetë kemi ndjekur me shumë shqetësim në Tiranë situatën dhe menjëherë kemi dalë me një deklaratë kundër dhunës në Kumanovë. Jemi për qartësimin e situatës dhe kërkojmë sa më shumë transparencë nga ana e institucioneve të Maqedonisë që të sigurohemi se ngjarje të tilla nuk do të ndodhin më”, tha Princi Leka II.

Gjatë vizitës në Lagjen e Trimave, trashëgimtari i frontit mbretëror shqiptar tha se udhëheqësit politikë në Maqedoni kanë dështuar në rastin e Kumanovës.
 
“Vlerësojmë se këtu është një dështim i politikës që po zbatohet nga të gjithë faktorët shqiptarë dhe maqedonas në Shkup. Ne jemi për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit që është e padiskutueshme dhe një marrëveshje që do të krijojë stabilitet”, vijoi Princi Leka.

Para banorëve të Lagjes së Trimave, Princ Leka, tha se familja mbretërore e Shqipërisë është duke i ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet në Maqedoni, ashtu siç ndjek me interesim edhe zhvillimet në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.

Top Channel