Egjipt, sulm kamikaz në tempullin antik Karnak. 5 të plagosur

10/06/2015 00:00

Një kamikaz ka hedhur veten në erë pranë tempullit antik të Karnakut, në qytetin egjiptian të Luxorit.

Sipas policisë dhe raportimeve të mediave lokale, 3 agresorët kanë mbetur të vdekur, ndërsa janë plagosur 5 kalimtarë të rastit.

Siç bëhet e ditur, agresorët u përpoqën të mësynin një barrikadë në tempull, një prej vendeve turistike më popullore të Egjiptit.

Dy prej tyre raportohet të jenë qëlluar për vdekje nga policia, ndërsa i treti mundi të çante barrikadën dhe të shpërthente eksplozivin që mbante në trup.

Ende nuk ka asnjë organizatë që të ketë marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi, por së fundi militantët xhihadistë kanë marrë me qindra jetë mes forcave të sigurisë dhe personelit qeveritar, që pasi ushtria rrëzoi nga pushteti Presidentin Mohammed Morsi, në vitin 2013.

Javën e kaluar, dy anëtarë të forcave policore në ruajtje të vendeve turistike dhe antike të Egjiptit u qëlluan për vdekje në një rrugë pranë piramidave në Giza.

Në vitin 1997, militantët xhihadistë vranë më shumë se 60 persona, pasi sulmuan një grup turistësh të huaj, të cilët kishin vizituar tempullin e Hatshepsutit, përgjatë lumit të Nilit, në qytetin Luxor, pranë Luginës së Mbretërve.

Top Channel