Për korrupsion, arrest me burg 4 punonjësve të Spitalit Psikiatrik të Vlorës

10/06/2015 00:00

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën arrest me burg për katër punonjës të spitalit psikiatrik. Hetimet e prokurorisë kanë nisur pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare”.

Dy mjeket Diana Brahimuço, dhe Laureta Selimaj, si dhe infermierët Lindita Kanushi dhe Arsen Kadënaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lëshuar dokumente mjekësore dhe leje drejtimi për në KMCAP, kundrejt pagesave të parregullta.

“Ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetaset D.B., Laureta Selimaj, me detyrë mjeke pranë Spitalit Psikiatrik, si Lindita Kanushi e Arsen Kadënaj, me detyrë infermierë pranë këtij spitali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërkuar dhe marrë nga shtetasi E.T. një shumë prej 50 mijë lekësh, me qëllim lëshimin e dokumentit mjekësor, fletë-drejtimi për në KMCAP për vëllain e tij, shtetasin A. T.”, thanë burime zyrtare të prokurorisë.

Ndaj 4 personave rëndon akuza e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim. Vendimi i gjykatës u ekzekutua këtë të mërkurë nga policia e Vlorës. Ndërsa mjekja Diana Brahimuço është shpallur në kërkim.

Top Channel