Nishani: Shqiptarët sot kanë dy shtete të pavarura. Isa Boletini, kryedëshmori ynë

10/06/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë në homazhet në nder të Isa Boletinit, në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.

Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit vlerësoi figurën e Isa Boletinit dhe rolin kryesor të tij në formimin e shtetit shqiptar. “Shqiptarët kanë dy shtetet e tyre të pavarura në Ballkan, të lira e demokratike”, tha Nishani.

“Isa Boletini ishte krenaria shqiptare në orët më tragjike të shqiptarisë. Sot e kemi për të kujtuar mbi të sakrificat dhe gjakun e derdhur të mijëra dëshmorëve, të cilët dhanë jetën që shqiptarët të mbeten, të qëndrojnë, të ringrihen, të fitojnë të drejtat e tyre kombëtare dhe Isa Boletini është kryedëshmori ynë”, nënvizoi Nishani.

Presidenti i Shqipërisë tha më tej se, çdo lloj propagande që kërkon t’i japë ngjyrime të tjera kombit shqiptar është armik i të ardhmes sonë të përbashkët: “Rruga e përbashkët është ajo e integimit dhe e bashkimit në familjen e madhe europiane. Shqipëria europiane, Kosova europiane, Kosova anëtare e OKB-së, Kosova në NATO, Ballkani europian, janë mundësia dhe shansi ynë historik”.

Top Channel