Ligji i ri për arsimin e lartë, universitetet private të kënaqur

10/06/2015 00:00

Përfaqësuesit e universiteteve private kanë përqafuar projektiligjin e ri të arsimit të lartë, i cili u jep mundësi që pas tre vitesh, nëse marrin statusin e institucioneve të pavarura jo fitimprurëse, të përfitojnë fonde publike. Deputetja Mimoza Hafizi, tha se Shqipëria përmes këtij procesi futet në një rrugë eksperimentale.

“Sa pozitiv do të ishte për Shqipërinë ky kalim dhe ne sigurisht që nuk do të dëshironim që Shqipëria të ishte vendi eksperimental i këtij modeli. Prandaj do të kisha dashur që dikush tjetër ta kishte eksperimentuar në Europë këtë lloj kalimi”, tha Mimoza Hafizi, deputete e PS-së.

“Kjo rregullohet pas tre viteve, nëse ne do të kthehemi në IALPD, mesa di unë do të dalë VKM pastaj, kur universitetet private e kërkojnë vetë. Unë nuk besoj se është eksperiment, ne duhet të përqafojmë modelet e suksesshme. Vërtetë zgjeron autonominë dhe vendos universitetin në një pozicion krejt të ri në shoqëri”, thotë Tonin Gjuraj, Universiteti Europian.

“Nëse ne do të krijojmë ato struktura që parashikon ligji kam bindjen se do të ketë një perspektivë, unë personalisht”, thotë Maringel Spiro, universiteti “Marin Barletin.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit Plarent Ndreca tha se nga fondet publike mund të përfitojnë vetëm institucionet të cilat rezultojnë jo fitimprurëse.
 
“Dhe mbas marrjes së licencës, krijimit të institucionit publik të pavarur në këtë moment është vënë në një garë dhe me institucione të tjera publike, por që në fakt janë shtetërore, që mund të jenë kthyer dhe ato në IALPP për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit”, thotë Plarent Ndreca, sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Arsimit.

“IAL private marrin vetëm bursa dhe tek ky 1 milionëshi i kërkimit, se pas tre vjetëve nëse ne do e kemi këtë status të ri, do të aplikojmë për fonde publike”, u shpreh Tonin Gjuraj.

Kapitulli 12 është kundërshtuar fort nga universiteti i Tiranës, i cili është shprehur se nenet e tij janë antikushtetuese. Kryetari i komisionit të medias dhe arsimit Genc Pollo ka kërkuar që komisioni të informohet për vendet që e kanë aplikuar këtë formë, dhe që janë të ngjashme me Shqipërinë.

Top Channel