Financimet e partive, Bojaxhi: Fushata, një propagandë prej miliona eurosh

10/06/2015 00:00

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, është ndalur në financimet e partive politike. Ai tha se mënyra e financimit kushtëzon mënyrën se si ata qeverisin dhe për kë qeverisin.

“Ajo është shndërruar në një aksion masiv propagande miliona eurosh. Televizionet po bombardohen me reklama, kostoja e të cilave është marramendëse; qyteti është i mbuluar në postera, flamuj dhe materiale propagandistike; zyrat elektorale kanë mbirë ngado dhe janë sot më të shumta se dyqanet e bukës”, tha Bojaxhi.

Bojaxhi ngre shqetësimin se paratë për financimin e fushatës janë dhënë në shkelje të ligjit, i cili i kufizon dhurimet e çdokujt deri në 10 milionë lekë.

“Financimi i kësaj fushate është treguesi më i qartë që nëse votohen përfaqësuesit e partive të mëdha, qeverisja e Tiranës do të vazhdojë të jetë klienteliste dhe e korruptuar”, tha ai.

Një ditë më parë, Bojaxhi kërkoi publikisht që të gjithë kandidatët të përballen në një debat para qytetarëve në shërbim të demokracisë dhe jo të fshihen pas emisioneve me pyetje të parapërgatitura.

Top Channel