Pogradec, kandidatët angazhohen për vendimmarrje me qytetarët

10/06/2015 00:00

Tre kandidatët për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile nga koalicioni i majtë, Eduard Kapri nga PD dhe Llazi Deti si kandidat i pavarur, janë takuar së bashku në forumin qytetar, ku kanë prezantuar programet e tyre.

Në takimin, që kishte në thelb nënshkrimin e marrëveshjes për buxhetimin me pjesëmarrje qytetare, kandidatët prezantuan shtyllat kryesore të programeve, si projektet për turizmin, urbanistikën, bujqësinë e blegtorinë.

“Ne kemi hartuar një program me staf nga komuniteti dhe është gjithëpërfshirës për problematikën që trajton. Ka një hartë të territorit, ku secila zonë është trajtuar me specifikat e veta dhe mënyrat se si do të zgjidhen. Janë mirëpritur të gjitha idetë”, deklaroi kandidatja Diana Mile.

“Programi ynë ka formën e një projekti strategjik, mbi të cilin unë shoh zhvillimin e Pogradecit në gjithë territorin e tij, pasi me ndarjen e re territoriale Bashkia e Pogradecit kthehet në një bashki të madhe, duke përfshirë 8 njësi vendore dhe 7 komuna, dhe jam munduar ta shoh zhvillimin e tij si një të tërë”, tha nga ana tjetër kandidati demokrat Eduard Kapri.

“Si qytetar dhe përfaqësues i tyre kemi bërë një plan zhvillimi, pasi gjendja aktuale është shumë e keqe”, tha më tej Llazi Deti, kandidat i pavarur.

Në përmbyllje të takimit, kandidatët nënshkruan marrëveshjen për të bërë qytetarët pjesë të vendimmarrjes nëse do të jenë në krye të kësaj bashkie.

Top Channel