SHBA, 450 trupa për të trajnuar sunitët në luftën kundër ISIS-it në Irak

10/06/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 450 trupa të tjera ushtarake në Irak, me detyrë trajnimin e forcave ushtarake vendase, përfshirë këtu edhe aleatët e tyre në betejën me kërcënimin që mban emrin ISIS.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se trupat do të vendosen në provincën e Anbarit, ku ka një aktivitet të madhe të ISIS-it. Në komunikatë thuhet se përveç forcave të rregullta të qeverisë së Bagdadit, detyra e 450 trupave amerikane do të jetë edhe trajnimi i luftëtarëve të fiseve sunite dhe grupeve të tjera në aleancë kundër ISIS-it.

Këtu përfshihen edhe forcat kurde Peshmerga dhe ato shiite, të cilat, sipas raporteve kanë marrë në dorë frerët e luftës kundër xhihadistëve, duke u qenë më vendimtarë se vetë ushtria irakiane.

Përveç trupave, në terren do të dërgohen edhe mjete logjistike dhe materiale të tjerë ndihmë për të përballuar luftën.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë mbërrin në një moment kritikash ndaj administratës dhe Presidentit Obama për reagimin kundër ISIS-it në Irak dhe Siri.

Shumë analistë dhe kundërshtarët politikë e kanë cilësuar strategjinë e ndjekur nga Obama si të dështuar, ndërkohë që vetë Presidenti deklaroi pak ditë më parë se veprimet ushtarake në terren kushtëzoheshin nga mungesa e një strategjie të qartë dhe të përbashkët me aleatët e koalicionit kundër ekstremistëve.

Top Channel