Kosovë, policia ndalon anëtarin e kryesisë së AAK-së

10/06/2015 00:00

Policia e Kosovës ka ndaluar këtë të mërkurë pesë persona, mes të cilëve edhe anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muhamet Kelmendi.

Arrestimet janë konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi, ku thuhet se personat në fjalë janë duke u marrë në pyetje lidhur me një çështje në hetim nga organet ligjzbatuese.

“Njëri ndër të ndaluarit është edhe zoti Kelmendi, i cili është shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit në rastin konkret”, thuhet në komunikatën e policisë.

Lidhur me ndalimin e Muhamet Kelmendit ka reaguar AAK përmes një komunikate për shtyp, ku shprehet e befasuar me ndalimin e anëtarit të kryesisë së partisë.

“Profesor Muhamet Kelmendi u ndalua befas, me pretekst krejt të pakuptimtë për veprimtarinë e tij, ndërsa po udhëtonte për në Boletin, në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit të kombit Isa Boletini”, thuhet në njoftimin për shtyp.

AAK konsideron se, “profesori i respektuar, Muhamet Kelmendi, ansjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të përfshihej në vepra, me pretekstin e të cilave është ndaluar sot nga Policia e Kosovës.

Top Channel