Ekstravaganca nëpër universitete

10/06/2015 00:00

Me ardhjen e verës, fustanet e ngushta e pantallonat e shkurtra, dekoltetë dhe takat janë sërish “qershia mbi tortë” e rrugëve të kryeqytetit. Vajzat duan të ndihen sa më femërore, sigurisht, por a ia vlen që ky sezon mode të bartet në ambientet universitare?

Sipas faqes zyrtare të Universitetit të Tiranës, paraqitja në universitete duhet të jetë sa më serioze, dinjitoze dhe e rezevuar, por dukshëm ky nuk është rasti i universiteteve shqiptare.

Vajzat preferojnë një stil të shkujdesur, “make up”-e dhe veshje që nxjerrin në pah karakteristikat e tyre fizike. Kjo kulturë e të veshurit, sidomos vitet e fundit, duket të jetë bërë dominuese. Një pjesë e mirë e ndikimit vjen me siguri edhe nga videoklipet dhe fotot e VIP-ave, që bëjnë dashur padashur thirrje për rebelim dhe ndikojnë në imazhin, që të rinjtë duhet të paraqesin.

Ndërkohë që koleksionet e verës ekspozohen nëpër shkolla, universitetet duken të gjenden para një dileme: a duhen të marrin masa, kur thyet dukshëm kodi i veshjes?

Dëshira për t’u dukur bukur dhe për t’u vënë re po bëhet tashmë një normalitet në çfarëdolloj ambienti.

Por është pikërisht kjo dëshirë, që po i ekspozon të rejat shqiptare drejt një tjetër rreziku: atij të kërkimit të favoreve seksuale të akademikëve, sidomos gjatë sezonit të provimeve. Pedagogët, sidomos ata në universitetet e rretheve, ku ekstravaganca i kalon kufinjtë, ndihen dashur padashur të provokuar.

A është e drejtë që universitetet të penalizojnë studentet për këtë çështje? Sigurisht, “sipas vendit bëhet kuvendi”, por ç’të keqe ka të dukesh bukur në çdo ambient, në fund të fundit.

Top Channel