Tragjedia në Paulesh të Peqinit, flasin banorët e tronditur

10/06/2015 00:00

Gra të veshura me të zeza, burra kokëulur dhe të rinj të shokuar, kanë kaluar ditën e mërkurë rrugicën e fshatit Paulesh të Peqinit, ashtu siç nuk mund ta kishin imagjinuar ndonjëherë.

Në familjen Bahja janë hapur dyert e mortit për Eltonin 33-vjeçar, i cili një ditë më parë u qëllua për vdekje nga i ati, Ismail Bahja, 70 vjeç. Zonja e shtëpisë, 3 vajzat dhe 4 djemtë e tjerë të familjes kanë ndarë dhimbjen, mes humbjes së Eltonit dhe arrestimit të kryefamiljarit.

I gjithë opinioni publik, por sidomos ky fshat i Peqinit është tronditur mbrëmjen e së martës nga ngjarja e rëndë e një krimi në familje. Pikërisht në shtëpinë e tyre, babai vrau me 5 plumba djalin e tij 33-vjeçar. Por çfarë e shtyu prindin në këtë krim? Fqinj dhe të afërm tregojnë se djali, në gjendje të dehur, dhunoi nënën e tij dhe më pas tentoi ta helmojë atë. Kjo solli edhe tragjedinë në familjen Bahja.

Nga hetimet e deritanishme, mësohet se 33-vjeçari ndodhej prej kohësh në një gjendje të rënduar psikologjike, për shkak të disa tentativave të dështuara për të emigruar drejt Kanadasë, aty ku jeton edhe një prej vëllezërve të tij.

Përgjatë muajve të fundit, Eltoni kishte nisur të konsumonte shpesh alkool dhe ushtronte dhunë ndaj prindërve. Ismail Bahja kishte kërkuar ndihmën e djemve të tjerë, për ta dërguar të birin te një mjek i specializuar, por pa reagim. Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja, që çoi në ngjarjen e rëndë.

I prekur nga veprimi i të atit, 33-vjeçari kishte planifikuar të vriste prindërit dhe veten, duke përdorur fotoksinë. Teksa ai detyronte të ëmën të pinte helmin, në shtëpi ka mbërritur i ati, i cili në gjaknxehtësi e sipër ka shkrepur armën mbi djalin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Top Channel