Vera dhe temperaturat e larta na sjellin lirinë e të veshurit rroba të holla dhe ngjyra të theksuara. Arsye të mjaftueshme për të ekspozuar trupin tonë, por… kujdes! Në mëngjes bëhemi gati për të shkuar në punë dhe jo në plazh.

Jo çdo veshje është e përshtatshme për zyrë, megjithatë të dukeni profesionistë, pa humbur elegancën në të njëjtën kohë, nuk është edhe aq e vështirë.

Në ambientet e punës, kryesisht në Administratën Shtetërore, për punonjësit është parashikuar një kod pune, që ndryshe mund të përkthehet edhe kodi i seriozitetit, e nga viti në vit imazhi i punonjësve ka ardhur duke u kuruar.

Kështu, shapkat me gisht, minifundet, dekoltetë, bluzat transparente apo fustanet ekstravagante, për femrat; si dhe pantallonat e shkurtra, bluzet me mbishkrime, për meshkuj, janë rreptësisht të ndaluara për punonjësit e administratës.

E thënë me fjalë të thjeshta, punonjësit, si femrat ashtu edhe meshkujt, duhet të kenë një veshje serioze, të mos zbulojnë pjesë të trupit, si dhe të jenë të kujdesshëm me përzgjedhjen e ngjyrave apo aksesorëve shoqërues.

Kamera e emisionit “Pasdite në Top Channel” ishte e pranishme në një ditë të zakonshme në ambientet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në Ministrinë e Bujqësisë. Punonjëset duket që zbatojnë një kod rigoroz të etikës së imazhit. Sipas moshës dhe mundësive ekonomike, gjithsecila prej tyre ka përmbushur kriterin mbi veshjen në punë, pa e tepruar. Për disa prej tyre, ndoshta duhet të tregojnë pak më shumë kujdes me ngjyrat e forta të verës, jo se në këtë mes ka diçka të gabuar, por për të mos tërhequr vëmendjen më shumë se ç’duhet.

Zana Treska, specialiste e AKU-së në sektorin e Kërkimit Shkencor dhe Dokumentacionit, si një prej punonjëseve më të vjetra të këtij institucioni, tregon sesi ka ndryshuar interesi për kurimin e imazhit në punë.

* Kodin e veshjes e gjetëm të respektuar edhe në ambientet e Drejtorisë së Trajtimit të Studentëve nr. 2 në kryeqytet. Ndonëse një staf që përbëhej kryesisht me femra, kodi i imazhit ishte një pikë e fortë e këtij institucioni. Ndoshta edhe për faktin se, si institucion që përkujdeset për brezin e ri, pamja e tyre shihet si një tregues pozitiv, ose shembull negativ për vetë studentet.

Me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin me nr. 9131, datë 8.09.2003, mbi etikën në Administratën Publike.

Ndër të tjera, ajo parashikon: “Veshja dhe paraqitja e nëpunësit duhet të jenë serioze, për ta përfaqësuar sa më denjësisht Administratën Publike. Rregullat e hollësishme për veshjen dhe paraqitjen e nëpunësve në institucionet e Administratës Publike përcaktohen nga rregulloret e brendshme të institucioneve”.

Top Channel