Basha: Rama e Meta mund të blejnë Gjyqësorin, por kurrë popullin

10/06/2015 00:00

Në Krujë, Lulzim Basha ia rriti tonet fushatës elektorale kur, pas vendimit të Gjykatës së lartë, akuzoi qeverinë se po përpiqet të blejë demokracinë nëpërmjet blerjes së Gjyqësorit. Por ai thotë se Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë bërë llogaritë pa popullin.

“Harruan se në demokraci vjen ora e llogarisë. Se mund të kapësh institucione, mund të blesh gjyqtarët, mund të trembësh zyrtarët, por popullin nuk e blen dot kurrë”, tha Basha.

Kreu i PD-së beson se Kruja është një provë shtesë përse qeveria dhe kandiati i saj duhet të ndëshkohen në këto zgjedhje.

“Art‎ur Bushi mund të ketë bërë shumë para, por nuk ka bërë shumë para për të blerë të kaluarën e tij dhe nuk ka bërë mjaftueshëm para për të futur në thes Krujën dhe krutanët. A i keni dëgjuar partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët ditë për ditë bëjnë thirrje të hiqen të inkriminuarit nga lista. Nuk i hoqën. Sot ata i thonë popullit shqiptar, ju i njihni kush janë, ju i dini se kush janë, asnjë votë trafikantëve, asnjë votë të inkriminuarve, votat për Hamdi Pashën, votën për PD”, u shpreh kreu i opozitës.

Rritja e varfërisë dhe humbja e shpresës, aq sa shqiptarët të braktisin masivisht vendin, është një nga tezat kryesore të opozitës.

Ministria e Brendshme gjermane tha se vetëm 200 është numri i azilkërkuesve që ndan shqiptarët nga sirianët që përjetojnë një konflikt të tmerrshëm civil. Gremina, mjerimi, varfëria papunësia, kjo është rruga e duhur? Kurrsesi nuk është dhe nuk do të jetë rruga e duhur, do ta ndalim me votë më 21 qershor”, tha Basha.

Lulzim Basha beson se pas 10 ditësh shqiptarët do t’i japin një leksion demokracie qeverisë që i gënjeu dhe i dhunoi.

“Këtë dinjitet të nëpërkëmbur nuk e blen dot, varfërinë që e shumëfishuan me taksa, nuk e blen dot më 21 qershor. Më 21 qershor ky dinjitet dhe kjo varfëri nuk është në shitje, është në luftë me dyshen Rama-Meta”, shtoi Basha.

Top Channel