Veliaj firmos kontratën sociale me të rinjtë

10/06/2015 00:00

I pranishëm në takimin publik të zhvilluar në kuadër të projektit “Përballja e Ofertave Politike 2015, Kontrata Sociale”, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u është përgjigjur shqetësimeve të të rinjve të kryeqytetit, të cilat janë të hartuara në një kontratë.

“Ne do kemi një fond të nxitjes së punësimit ekskluziv të bashkisë. Duke qenë se projekti-pilot për nxitjen e punësimit funksionoi në qeveri, ajo që duhet të bëjmë është t’i propozojmë Këshillit Bashkiak që një zë ta vendosë vetëm në dispozicion të punësimit të të rinjve, sidomos atyre që kanë një diplomë”, deklaroi Veliaj.

Duke qëndruar tek punësimi i të rinjëve në Bashkinë e Tiranës, në formën e praktikave disamujore, Veliaj ka bërë publik dhe objektivin e tij.

“Besoj se në Bashkinë e Tiranës, në termat e praktikave, mund të shkojmë deri në 1200 të rinj në vit”, tha Veliaj.

Një tjetër shqetësim i të rinjve të kryeqytetit ishte dhe karta studentore, për të cilën është folur shumë, por nuk është bërë asgjë. E për këtë shqetësim, Veliaj vuri një afat.

“Brenda vitit të parë do të bëhet emetimi i kartave studentore”, premtoi Veliaj. Gjatë këtij takimi, ai denoncoi dhe një akt abuziv që është duke u kryer aktualisht nga Bashkia e Tiranës.

“Po rinegociohen kontratat për linjat e autobusëve për t’i lënë peshqesh kryetarit të ri të bashkisë për 4 vitet e ardhshme linjat urbane të panegociuara. Po e them publikisht se ato kontrata do të anulohen. Kush në Bashkinë e Tiranës po negocion pazare një javë para zgjedhjeve do të shkojë para drejtësisë. Nuk mund të firmosen kontrata në javën e fundit të mandatit”, deklaroi Veliaj.

Në fund, kandidati i majtë firmosi kontratën, duke u zotuar në këtë mënyrë që premtimet përpara të rinjve do të jenë në fokusin e punës së tij.

Top Channel