Shtimi i bizneseve debitore, Tatimet: Tregues i forcimit dhe zbatimit të ligjit

10/06/2015 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se rritja e numrit të bizneseve në borxh ndaj shtetit është rezultat i forcimit të ligjit dhe përmirësimit të punës nga administrata fiskale.

“Ka pasur rritje të administrimit tatimor. Është bërë një proces monitorues i të gjithë veprimtarisë historike të administratës, gjatë të cilit ka rezultuar zbulimi i një numri të madh subjektesh, të cilët kishin detyrime ndaj administratës, por që asnjëherë nuk ishte ndjekur asnjë proces i menaxhimit të mbledhjes së borxhit tatimor”, u shpreh Erjon Prifti, drejtor i Shërbimit ndaj Tatimpaguesve.

Sipas Tatimeve, një pjesë e madhe e kompanive që shtohen në listë, duhej të ishin shtuar përpara vitit 2013, por administrata e kaluar ka shkelur ligjin, duke mos i raportuar ato.

“Për këtë arsye, duke krahasuar shifrat e fundit të vitit 2013 me ato aktualet, kemi një rritje të madhe të subjekteve prej rreth 9000 të tilla. Fakt është se pjesa më e madhe e këtyre ekzistonin me detyrime të papaguara për më shumë sesa 5 vite, e për të cilat nuk ishte ndjekur asnjë masë administrative”, deklaroi më tej Erjon Prifti.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se, vitin e kaluar, listës së borxhit tatimor iu shtuan 6541 biznese, ndërkohë që numri total i tyre ka arritur në 16083.

Top Channel