Plotësuan provimin e maturës, ndëshkime ndaj mësuesve

10/06/2015 00:00

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës, ka vendosur që të merren masa ndëshkuese ndaj mësimdhënësve që kanë shkelur ligjin e maturës. Kjo u bë e ditur në konferencë për media nga këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri.

“Të iniciohet procedura e sanksioneve dhe masave disiplinore ndaj mësimdhënësit Bujar Abdullahu, i caktuar në cilësinë e administratorit në provimin e maturës në shkollën e mesme ‘Fehmi Agani’ në Klinë, për shkelje të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligjin për provimin përfundimtar dhe provimin shtetëror të maturës”, ka thënë Guri.

Ai theksoi se mësimdhënësi Abdullahu ka shkelur ligjin, duke plotësuar provimet e nxënësve.

“Pas shqyrtimit të Komisionit Shtetëror Qendror të Maturës dhe publikimit të video-xhirimeve nga personat e autorizuar për monitorimin e mbarëvajtjes së provimit të maturës shtetërore të rastit Bujar Abdullahu, i njëjti vërehet duke u angazhuar kundërligjshëm në plotësimin e testit të nxënësit, që përbën shkelje të rëndë të detyrave”, ka vazhduar këshilltari politik në MASHT, Azem Guri.

Vendime të tilla nga Komisioni Shtetëror Qendror i Maturës do të merren edhe ndaj dy personave tjerë, Arsim Ajvazi, administrues në shkollën e mesme “Frang Bardhi” në Mitrovicë dhe Fahredin Haxhimusa, mbikëqyrës në shkollën e mesme “Abdullah Shabani” në Mitrovicë.

Kryetari i KQShM-së tha se do të ketë masa edhe për persona që kanë shkelur ligjin duke përdororur rrjetet sociale. Nëse konstatohet se këta persona janë maturantë, do të zbatohet ndalesa për një vit pamundësi që t’i nënshtrohen provimit të maturës, nëse nuk janë nxënës, do të procedohet kallëzim penal në organet kompetente dhe, në rast se janë administrues, mbikëqyrës apo komisionerë, do të procedohet masa e sanskioneve, sipas ligjit në fuqi.

Top Channel