Kosova: Kujdes për pensionistët. Do të shtojmë hapësirat e gjelbërta

10/06/2015 00:00

Në njësinë numër 9 të kryeqytetit, Halim Kosova ka bërë premtimin për pensionistët, se do të kujdeset për ta në gjithë Tiranën.

“Duke u ofruar shumë lehtësira në jetën e përditshme, duke u ofruar, jo vetëm ambientin, se kjo është elementare, por kafe me çmim me të ulët, ujë me çmim më të ulët. Nuk më pëlqen fare kur i gjej vende-vende me ca tenda ku futen për të kaluar kohën duke luajtur domino, por duke u gjetur tamam siç ata e meritojnë për punën dhe dinjitetin që kanë. Do të bëj që në çdo lagje apo në çdo ndërtim të ri që do të bëhet, një ambient të veçantë për moshat e treta”, tha Kosova.

Kandidati i së djathtës për Tiranën u ka kërkuar votën edhe socialistëve.

“Ju siguroj që do të përfaqësoj edhe gjithë socialistët e ndershëm, të cilët e kanë menduar ndryshe përfaqësimin e tyre kudo, do të përfaqësoj njerëzit pa parti, kudo qofshin ata, do të përfaqësoj të pasurit, të varfërit, qytetarët apo banorët e rrethinave të Tiranës në mënyrë të barabartë që të gjithë të kenë një standard në jetën e tyre të përditëshme”, deklaroi kandidati i opozitës.

Kosova ka premtuar se kudo do të shtojë ambientet publike dhe do të ketë në projektet e tij hapësira të gjelbërta.

“Kudo ku do të ketë mundësi për të bërë një lulishte, për të mbjellë një pemë, apo për të pasur një kënd lodrash, do ta bëj pa ngurruar fare”, u shpreh ai.

Top Channel