Kriza në Maqedoni, krerët politikë “ngujohen” në Bruksel

10/06/2015 00:00

Takimi i pritshëm për kapërcimin e krizës politike maqedonase nisi në Bruksel pak minuta pas orës 11 të paradites.

Pavarësisht deklaratave mediatike në Shkup për mospjesëmarrje në këtë tryezë, kreu i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev u paraqit në Berlaymont, përkrah kundërshtarit të tij, kryeministrit Nikolla Gruevski.

Së bashku me drejtuesit e dy partive kryesore shqiptare, Ali Ahmeti nga BDI dhe Menduh Thaçi nga PDSH, ata u pritën nga komisioneri i BE-së për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, liberali kroat Ivo Vajgl.

“Ky nuk është takimi i parë. Është në vijim të takimeve të mbajtura më parë, më së fundi, javën e kaluar në Shkup, ku vetë komisioneri deklaroi se një numër çështjesh janë diskutuar dhe është arritur pajtim, por një numër çështjesh të tjera duhet të shqyrtohen më tej. Për këtë arye, u ra dakord që të mbahej ky takim, i cili vazhdon ende dhe për këtë shkak unë nuk mund të jap më shumë detaje. Por, siç e dini, qëllimi është për zgjidhjen e krizës politike në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në këtë drejtim shkojnë dhe përpjekjet tona”, deklaroi Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE.

Tryeza e Brukselit vijon të mbahet me dyer të mbyllura prej mëse 8 orësh dhe ende nuk dihet se kur dhe me ç’rezultate do të mbyllen negociatat mes palëve. Por, një deklaratë informuese për zhvillimet e sotme dhe hapat e radhës pritet të bëhet publike nga Komisioni Europian në përfundim të mbledhjes.

Top Channel