Papa Françesku takon Putin: Më shumë angazhim për paqen në Ukrainë

10/06/2015 00:00

Ati i shenjtë, Papa Françesku, në takimin me presidentin rus Vladimir Putin ka deklaruar se, “duhet një angazhim më i fortë dhe i sinqertë për të arritur paqen në Ukrainë”.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Vatikanit, at Federico Lombardi, sipas të cilit, Papa ka kërkuar që të gjitha palët të angazhohen për zbatimin e marrëveshjes së Minskut.

Takimi në Vatikan ka filluar me më shumë se një orë vonesë për shkak të presidentit Putin, gjë që ka çuar në reduktimin e tij me 50 minuta.

Sipas raportimeve të agjencive italiane të lajmeve, në takim është folur edhe për Lindjen e Mesme.

Para takimit, media të ndryshme raportuan se, Papa Françesku u keshillua nga një diplomat amerikan që të mbante një qëndrim të ashpër ndaj kreut të Kremlinit.

Edhe pse lideri shpirtëror i Vatikanit ka qenë gjithmonë kritik ndaj aksioneve ushtarake në Krime, Kenneth Hackett, ambasadori amerikan në Selinë e Shenjtë, tha se Papa Françesku duhet të fliste më shumë për shqetësimin e integritetit territorial.

Takimi i Papës argjentinas me Putin është i pari që pas vitit 2013, kur papa iu referua gjakderdhjes në konfliktin ukrainas, të cilin e cilësoi si vëllavrasës.

Shpesh ati i shenjtë ka qenë në qendër të akuzave edhe nga katolikë të tjerë, të cilët e kanë kritikuar se ka neglizhuar çështjen e Krimesë.

Top Channel