Dikush pyeti CIA-n: Çfarë pornosh shihte Bin Laden?

10/06/2015 00:00

Katër vjet pas vrasjes nga forcat speciale amerikane, kapitulli i fundit i jetës së Osama Bin Ladenit vazhdon të ngjallë kureshtje.

A ishte udhëheqësi i Al Kaedas duke planifikuar sulme terroriste ndaj Perëndimit nga rezidenca e tij në Abotabad të Pakistanit? A ishte në kontakt, apo punonte me shërbimin sekret pakistanez? Si u fsheh njeriu më i kërkuar në botë në Abotabad, pak kilometra larg Islamabadit, e për më tepër, pranë një reparti ushtarak?

Përgjigjet për gjithë këto pyetje deri më tani kanë qenë të pjesshme, me aq sa informacion kanë publikuar autoritetet amerikane.

Më shumë se këto çështjet, dikë diku e tërhoqi një tjetër gjë. Në vitin 2011, agjencia Reuters raportoi se mes dosjeve dhe materialeve të tjera të sekuestruara gjatë operacionit të forcave speciale amerikane, u gjetën edhe materiale pornografike.

Kjo e fundit ka ngacmuar David Covucci, i cili i ka kërkuar CIA-s informacion mbi filmat pornografikë që shihte Bin Laden. Covucci ka shoqëruar kërkesën e tij me ligjet që i siguronin të drejtën e informacionit për këtë çështje.

Megjithatë, CIA i ka dërguar një përgjigjie negative duke cituar një rregullore të brendshme të saj dhe një ligj që e përjashtonte agjencinë nga detyrimi për të dhënë informacione që klasifikohen si sekret.

“Sa i përket materialit pornografik që Bin Laden mund të ketë pasur në kohën e vdekjes së tij, nëse ekzistojnë janë pjesë e dosjeve operacionale. Akti 50 i CIA-s për informacionin përjashton dosjet operacionale nga publikimi”, ishte përgjigjia e CIA-s.

Duhet pritur maturimi kohor për të shuar kureshtjen e Covucci, por deri atëherë, një gjë është e sigurtë; në mungesë të internetit, që Bin Laden e refuzonte për të mos lënë asnjë gjurmë që mund të çonte në kapjen e tij, udhëheqësi i Al Kaedas shihte porno me kaseta (VHS) njësoj si të rinjtë e viteve ’80.

Top Channel