“Top Show”, gara për Bashkinë e Himarës

11/06/2015 00:00

Kandidatët për Bashkinë e re të Himarës ishin përballë njëri-tjetrit mbrëmjen e së mërkurës në “Top Show”.

Jorgo Goro, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, njëkohësisht kreu aktual i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri kandidat i PBDNJ dhe Vladimir Kumi kandidat i pavarur, prezantuan platformat e tyre dhe folën për sfidat për drejtimin e Bashkisë së re të Himarës.

Ndërkohë kandidatja tjetër, Lefteri Prifti, e cila është në garë për këtë bashki nën siglën e Partisë Demokratike, nuk pranoi të përballej me rivalët e saj, pavarësisht ftesës.

Zhvillimi ekonomik dhe turizmi

Çështja e parë për të cilën folën tre kandidatët e pranishëm në studio ishte zhvillimi ekonomik dhe turizmi në Bashkinë e re të Himarës. I pari e mori fjalën kreu aktual i bashkisë, zoti Goro. Ai u shpreh se zhvillimi ekonomik i kësaj zone është i lidhur drejtpërdrejtë me turizmin, ndërsa shtoi se nuk do të lihen pas dore as bujqësia, blegtoria dhe frutikultura.

“Resurset e kësaj zone janë të mëdha dhe mundësitë e zhvillimit janë të shumta. Turizmi do t’i japë frymëmarrje kësaj zone dhe do të krijojë mundësi për investime të huaj. Për t’u realizuar kjo duhet ndërhyrje në disa drejtime, ku kryesorja është infrastruktura. Tashmë ne e kemi eksperiencën e nevojshme dhe për çështjen e turizmit kemi bërë edhe planin urbanistik. Njëkohësisht me turizmin ne duhet të zhvillojmë edhe kulturën dhe traditën e kësaj zone. Gjithashtu nuk do të lëmë pas dore as bujqësinë, blegtorinë dhe frutikulturën, në të cilat do të synojmë të punësojmë shumë persona. Për të gjitha këto kemi edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin nga qeveria dhe donatorët tanë, me të cilët kemi lidhur marrëveshje”, tha zoti Goro.

Edhe kandidati i PBDNJ-së, Fredi Beleri, tha se zhvillimi i turizmit është kryesor, por sezoni është shumë i shkurtër, tha ai.

“Turizmi është elementi kryesor, por sezoni turistik është shumë i shkurtër dhe zgjatja e tij do të jetë prioritet, duke marrë iniciativa konkrete. Ne do të synojmë të krijojmë një shoqëri të veçantë për menaxhimin dhe studimin në lidhje me turizmin. Ne do të krijojmë edhe një zyrë për sipërmarrësit për t’u kujdesur së bashku për zhvillimin e turizmit. Për bujqësinë ne do të sjellim specialistë për të ndihmuar në rritjen e prodhimeve. Për blegtorinë do të bashkëpunojmë me universitete ndërkombëtarë për të rritur rendimentin dhe të menaxhojnë më mirë produktet e tyre. Ne kemi si synim edhe ndërtimin e një tregu shitjeje në Himarë, ku fshatarët do të kenë mundësi të sjellin produktet e tyre. Një iniciativë tjetër do të jetë edhe turizmi kulturor”, tha zoti Beleri.

Kandidati i pavarur, Vladimir Kumi kritikoi qeveritë e kaluara, si dhe atë aktuale, duke i cilësuar si fajtore kryesore për gjendjen aktuale të Himarës.

“Ekonomia e këtyre banorëve ka ardhur nga blegtoria dhe pemëtaria para viteve ‘90, ndërsa në demokraci është zhvilluar edhe turizmi, por në mënyrë spontane. Pushteti është munduar të bëjë ekonomi për vete në bregdet, duke e dëmtuar atë. Është detyrë e pushtetit vendor për të menaxhuar Bashkinë e Himarës dhe zhvillimin e turizmit, i cili duhet të ndërtohet mbi bazën e traditës familjare. Labëria është lënë në një gjendje të keqe nga qeveritë e kaluara”, u shpreh kandidati i pavarur Vladimir Kumi.

Infrastruktura dhe urbanistika

Prioritet për zhvillimin e infrastrukturës dhe urbanistikës për zotin Goro duket se është plani aktual i zhvillimit, ndërsa tha se aktualisht janë duke u kryer punime të rëndësishme si në Himarë, po ashtu edhe në rrugët që lidhin fshatrat me qytetin.

“Infrastruktura është kryesore për zhvillimin e ekonomisë. Ne kemi prioritet planin e zhvillimit, atë që kemi bërë me Bashkinë e Himarës deri tani do ta bëjmë me zonën e Lukovës dhe Labërisë. Ne po investojmë direkt në infrastrukturë. Aktualisht është duke u ndërtuar unaza e Himarës dhe disa akse të tjera që lidhen me rrugën kombëtare. Ne po rregullojmë të gjitha sheshet e fshatrave dhe këtë do ta bëjmë edhe në fshatrat e tjera të përfshira në bashkinë e re. Është kryesore që qytetarëve t’i krijomë mundësinë të lëvizin lirshëm, të investojnë nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës. Ne do t’i japim vlerë pronës së qytetarëve, pasi kështu mund të krijojmë mundësi punësime, jetese dhe pasurimi, që brezave t’i lëmë më pas një Himarë europiane”, tha Goro.

Fredi Beleri kritikoi kryetarin aktual të bashkisë, duke thënë se rregullimi i qendrave të fshtrave është vetëm iluzion i zotit Goro. Ai tha se për të rregulluar infrastrukturën nevojitet një strategji konkrete.

“Infrastruktura është në një gjendje shumë të keqe, këtë qytetarët e shohin çdo ditë. Rregullimi i shesheve të fshatrave është vetëm një iluzion i zotit Goro. Infrastruktura duhet të ketë një strategji, e cila mungon dhe duhet të fillojë nga qendra dhe të shkojë nëpër fshatra. Të gjithë fshatrat kanë probleme me ujin e pijshëm dhe ujërat e zeza. Ndërsa mungojnë rrugët që të çojnë në bukuritë e Himarës. Labëria ka problemin kryesor, ku për të shkuar atje duhet kaluar në dy bashki të tjera”, tha Beleri.

Zoti Kumi ishte sërish kritik ndaj pushtetit qendror, duke thënë se ai ka qenë gjithmonë bllokuesi i projekteve për zonën e Himarës, ndërsa ngriti nevojën e një plani të madh infrastrukturor.

“Nga viti 2006 deri në 2008-n është bërë plani i zhvillimit të deti të jugut, por më pas është bllokuar nga qeveria e sotme. Ndërhyrjet e qeverive kanë penguar pushtetin vendor për një plan. Komuna e Lukovës ka bërë projekte për 40 kilometra rrugë të brendshme, por ndërhyrjet nga ana e qeverisë i kanë bllokuar ato. Bllokimi ka ndodhur edhe në kohën e Partisë Demokratike. Para dy ditëve, në një fasadë në Himarë është shkruar “Rroftë shoku Enver”. Unë kam shkuar atje dhe më kanë thënë se është urdhër i Koços”, tha Kumi.

Pronat dhe ndërtimet

Nevojitet një bashkëpunim urgjent me qeverinë dhe institucionet e tjera përkatëse për të zgjidhur çështjen e pronave, tha zoti Goro, i cili shtoi se aktualisht është duke u aplikuar një projekt pilot në Dhërmi lidhur me këtë çështje.

“Pronat në të gjithë bashkinë, por edhe në fshatrat përreth janë një nga problematikat ende të pazgjidhura për arsye të ndryshme. Unë e mora bashkinë në një situatë tejet kaotike në lidhje me çështjen e pronave. Unë them se nevojitet një bashkëpunim urgjent me qeverinë, që qytetarëve t’u japim pronën e tyre. Mua më ka bërë përshtypje se si nuk është zgjidhur të paktën dokumenti i tapisë. Ne po bëjmë një projekt pilot në Dhërmi dhe kemi mbaruar regjistrimin e shtëpive dhe po vazhdojmë me regjistrimin e tokës bujqësore. Po bashkëpunojmë me të gjitha institucionet, pasi është e domosdoshme edhe bashkëpunimi me qytetarët. Për sa i përket ndërtimeve, ato nuk mund të fillojnë pa plan urbanistik”, u shpreh Goro.

Kandidati i PBDNJ-së, u shpreh se fillimisht do të synohet përcaktimi i kufijve të bashkisë së re, të fshatrave dhë më pas do të bëhet ndarja e pronave. Zoti Beleri tha se deri tani, prona kanë marrë vetëm punonjësit e administratës dhe të afërm të kryeplakut.

“Pa zgjidhjen e problemit të pronësisë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. Të gjitha shtetet ish-komuniste e kanë zgjidhur këtë problem që në vitin 1992. Ne do të përcaktojmë kufijtë e bashkisë së re dhe të fshatrat dhe të gjithë më pas do të marrin pronat e tyre. Kjo duhet të ndahet në mënyrë sociale, por sot kjo nuk ndodh, pasi i ndahen miqve të kryebashkiakut. Gjysma e personave që kanë marrë prona kanë mbiemrin e kryeplakut dhe të tjetër janë pjesë e administratës së bashkisë. Në vitet e fundit nga Bollano është bërë një hap pozitiv. OSBE-ja erdhi dhe nisi regjistrimin e pronave, por ky proces u pezullua”, tha Beleri.

Për zgjidhjen e problemit të pronës, Kume tha se është e nevojshme një ndërhyrje e menjëhershme në ligjin aktual dhe nëse kjo do të ndodh, ai i u zotua se këtë problem mund ta zgjidhë vetëm në një vit.

“Pronat nuk kanë qenë asnjëherë në dorë të pushtetit vendor, gjithçka ka qene në varësi të qeverisë. Prona është ruajtur si ekskluzivitet i pushtetit qendror. Nëse bëhet një ndryshim në ligj dhe ta marrë pushteti vendor unë e zgjidh për një vit këtë problem në Himarë. Sot nuk merr dot leje të ndërtosh, pasi nuk do Edi Rama. Ky është problemi, nëse duan ta zgjidhin këto të drejta duhet t’i ketë Bashkia e Himarës”, tha Kume.

Mirëqenia sociale, përparësia ndaj qytetarit

“Ne do të krijojmë zyra multifunksionale për shërbime dhe për dhënie informacioni. Ne do të krijojmë njësi në funksion të personave në nevojë që ne të shkojmë pranë tyre dhe jo ata të vijnë tek ne për problemet e tyre. Edhe hapja e fondeve të punësimit është një nga synimet tona. Ne do të krijojmë edhe një shtëpi për moshën e tretë. Në të njëjtën kohë do të krijojmë edhe një shtëpi për fëmijët në breg të detit. Mendërtimin e tyre synojmë edhe hapjen e vendeve të punës. Ne do të krijojmë edhe qendrat rinore, në mënyrë që të rinjtë të merren me aktivitete të ndryshme”, u shpreh kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.

Do të synojmë një marrëdhënie sa më të mirë me qytetarët, tha zoti Beleri. Bashkia aktualisht është e mbyllur për qytetarët, shtoi ai.

“Problemi kryesor është mungesa e ambienteve publik për të zhvilluar aktivitete kulturore apo sportive. Ambientet e shkollave duhet të jenë funksionale dhe të vihen në shërbim të komunitetit edhe pas përfundimit të mësimit. Një tjetër problem është edhe funksionimi i administratës së bashkisë, pasi aty nuk bëhet asgjë në mënyrë elektronike pavarësisht se jemi në 2015-n. Kontakti i qytetarit me bashkinë nuk ekziston. Ne do të kujdesemi që qytetarët të kenë një marrëdhënie më të mirë me bashkinë. Ne do të vendosim urban falas në fshatrat e bashkisë së re të Himarës”, tha Beleri.

Interesant ishte propozimi i zotit Kume, për sa i përket ndihmës sociale. Ai tha se ajo nuk duhet të jetë e njëjtët për të gjitha zonat, por të përcaktohet nga bashkia në bazë të të ardhurave të saj.

“Kujdesi social është i rëndësishëm dhe një gjë fisnike. Për këtë ne duhet të shohim nga vendet e zhvilluara. Për fat të keq edhe këtu qeveria fut hundët. Bashkia duhet të ndërtojë jetën si për ata që punojmë dhe ata që nuk kanë mundësi të punojnë. Në administratë janë të punësuar me qindra njerëz militantë të partive politike. Për këtë qeveria ka vendosur korniza dhe ndihma ekonomike është tejet e vogël dhe e pamjaftueshme. Mendoj se ajo duhet të jetë të paktën 10 mijë lekë të rinj dhe mos të jetë fikse për të gjitha zonat. Ndihma ekonomike duhet të vendoset nga bashkia, në bazë të të ardhurave të saj”, tha kandidati i pavarur.

Top Channel