“Al Kaeda nuk është më një organizatë funksionale”

11/06/2015 00:00

Dy nga udhëheqësit më të rëndësishëm shpirtëror të Al Kaeda-s kanë thënë për “The Guardian” se grupi terrorist nuk është më një organizatë funksionale pasi është luftuar nga ISIS.

Abu Qatada, një predikues radikal mysliman dhe Abu Muhammad al-Maqdisi, i cili konsiderohet një nga dijetarët më me ndikim në grupin terrorist, kanë thënë se udhëheqësi i Al Kaeda-s, Ayman al-Zawahiri është tradhtuar nga komandantët e tij dhe aktualisht nuk ka asnjë strukturë organizative, teksa ISIS ka fituar luftën propagandistike dhe në terren ndaj Al Kaeda-s.

Abu Qatada, emri i vërtetë i të cilit është Omar Othman, ka fituar statusin e azilantit në Britani më 1994, por shërbimi i sigurisë “MI5” e ka parë gjithnjë e më shumë si kërcënim për sigurinë kombëtare, pasi pikëpamjet e tij mbi xhihadin janë ashpërsuar. Ai është akuzuar për komplot për akte terroriste pas një sërë sulmesh me bomba, përfshirë bombardimin e një hoteli në Jordani më 1998, si dhe për komplote për të sulmuar civilët në Jordani. Megjithatë, dy vite më parë, ai u shpall i pafajshëm nga një gjykatë në Jordani. Që prej lirimit nga burgu, ai është bërë një kritik i madh i ISIS. Qatada tha për “The Guardian” se militantët e ISIS janë ekstremistë dhe nuk respektojnë askënd.

ISIS ishte një degë e Al Kaeda-s në zemër të Lindjes së Mesme deri sa grupi u përjashtuan nga rrjeti në 2014-n, pas mosbindjes ndaj urdhrave të Zawahiri-it, duke filluar një luftë shkatërrimtare në Irak e Siri, e cila ka lënë me mijëra të vdekur. Më pas ata vazhduan të zgjerojnë territoret në Euroazi dhe në Mesdhe, ndërsa krijuan edhe të ashtuquajturin Shtetin Islamik.

Liderët e ISIS kanë deklaruar se ata nuk do të tolerojnë asnjë grup tjetër xhihadist në territorin ku ato janë duke vepruar. Një javë më parë, u raportua se militantë të ISIS në Afganistan ekzekutuan me prerje koke 10 talebanë. Ndërsa të mërkurën, Al Kaeda në Libi u zotua për hakmarrje pasi fajësoi ISIS për vdekjen e njërit prej udhëheqësve të saj.

Top Channel