Tsipras takohet me Merkel, Hollande e Juncker; Kancelarja: E duam Greqinë në Eurozonë

11/06/2015 00:00

Në Bruksel vijojnë bisedimet të cilat vërtiten rreth boshtit financiar të Greqisë dhe borxhit të shumëpërfolur të kreditorëve grekë ndaj unionit.

Angela Merkel dhe presidenti francez, Hollande, janë shprehur të gatshëm për të biseduar me kryeministrin Alexis Tsipras, me qëllim shmangien e një falimentimi të mundshëm të Greqisë, që parashikohet në datën 30 qershor.

Por duke i paraprirë një zhvillimi të tillë, kancelarja gjermane deklaroi se ‘kur ka dëshirë dhe vullnet, atëherë edhe Athina me Bashkimin Europian do e gjejnë rrugën e përbashkët që Greqia të mos dalë nga unioni’.

Sipas Merkel, Greqia duhet të vazhdojë të jetë pjesë e Eurozonës. Por Ajo që nuk premton – është koha mjaft e  shkurtër për një marrëveshje, e cila supozohet t’i japë fund ngërçit 5 mujor,  midis Athinës dhe kreditorëve të saj për të shlyer 7.2 miliardë eurot e borxhit.

Megjithatë ndryshe nga herët e tjera, Brukseli nuk duket të ketë një qëndrim edhe aq të ashpër, pasi për herë të parë sinjalizoi zhvillime pozitive.

Alexis Tsipras ka paraqitur para liderëve europianë dhe ministrave europianë të financave, propozimin e tij për reformat financiare të Greqisë. Madje Tsipras u prit me përqafime edhe nga komisioneri i Bashkimit Europian, Jean Claude Juncker, me të cilin më herët kanë pasur edhe konfrontime lidhur me çështjen delikate të borxhit.

Ndërkohë, ajo që pritet është gjetja e një zgjidhje konkrete dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e  Greqisë. Megjithatë pas tryezës së rrumbullakët të Brukselit, ku u diskutuan shumë çështje me rëndësi, të gjithë pjesëmarrësit iu drejtuan një tjetër tavoline, këtë herë për të ngrënë darkë, me një menu të pasur, ku siç raportojnë mediat e huaja nuk kanë munguar edhe batutat me kryeministrin Alexis Tsipras.

Top Channel