Veliaj nis turin e takimeve përmbyllëse, takon banorët e njësive 1 dhe 2

11/06/2015 00:00

Pas dëgjesave në të 24 njësitë e reja të Bashkisë së Tiranës dhe pas prezantimit të programeve konkrete për secilën prej tyre, tashmë Erion Veliaj ka nisur turin përmbyllës të takimeve elektorale.

Këtë tur e nisi nga njësitë 1 dhe 2 në kryeqytet, ku kryefjala e tij ishte thirrja drejtuar njerëzve për të dalë në votime më datë 21 Qershor dhe për të votuar për drejtimin e duhur.

“Gjatë gjithë takimeve, në njësinë 1 dhe 2, shumë njerëz janë ankuar për problemet e tavolinës së bukës. Njerëzit ankohen për shkollat, për kopshtet, për çerdhet, për pusetat, për tregjet, për rrugët e trotuarët. Njerëzit janë lodhur nga një kryetar bashkia që 4 vjet fle gjumë me gërhima”, tha Veliaj.

Duke shprehur bindjen se Aleanca për Shqipërinë Europiane do të fitojë në të 24 njësitë e reja të Bashkisë së Tiranës, Veliaj kujtoi se mbeten edhe 11 ditë për të fituar kryeqytetin dhe për t’ua kthyer qytetarëve.

“Kemi edhe 11 ditë për të fituar të gjitha zemrat e njësisë numër 1, numër 2; 11 ditë për të fituar në Shkozë; 11 ditë për të fituar ‘Ali Demin’; 11 ditë për të fituar te ‘Shkolla e Baletit’; 11 ditë për të fituat te ‘Qyteti Studenti’; 11 ditë për të fituar te ‘Depo e Ujit’; 11 ditë për të fituar ‘Rrugën e Elbasanit’; 11 ditë për të fituar Saukun; 11 ditë për të fituar të gjithë Tiranën”, u shpreh Veliaj.

Top Channel