KQZ: Teatri Kombëtar qendër numërimi. Ministrja Kumbaro kundër vendimit

11/06/2015 00:00

Bashkë me disa vende të tjera të numërimit të votave, Teatri Kombëtar do të jetë gjithashtu një vend i numërimit të votave.

Përveç nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba, anëtarët e institucionit më të lartë zgjedhor kanë votuar kundër kërkesës së ministres së Kulturës për ta përjashtuar Teatrin Kombëtar nga shndërrimi në vend të numërimit të votave.

Ministrja Kumbaro në shkresën drejtuar KQZ-së, thotë se është e pamundur vënia në dispozicion të ambienteve të Teatrit si VNV. Kreu i Ministrisë së kulturës argumenton më tej në këtë shkresë se numërimi do të shkaktonte parregullsi në vendin e punës, duke ndikuar në cilësinë artistike të shfaqjeve, sikundër edhe për vetë procesin e numërimit.

KQZ-ja e ka rrëzuar kërkesën e ministres Kumbaro duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm që Teatri Kombëtar të jetë gjithashtu vend i numërimit të votave.

Institucioni më i lartë zgjedhor diskutoi sërish gjatë mbi dy raportet që paraqiti sërish Bordi i Monitorimit të Medias.

Të propozuarit e Partisë Demokratike kanë kërkuar sërish vendosjen e gjobave për televizionet informative për mungesën e balancës së kohës mes subjekteve politike, propozim që nuk mbështetet nga anëtarët e bordit propozuar nga PS-ja.

KQZ-ja e ka shtyrë vendimmarrjen për të hënën, duke iu lënë televizioneve dhe dy ditë kohë për të rregulluar kohën e transmetimit për partitë politike.

Por ajo që bën të vështirë një vendimmarrje të tilla, duket qartë se është paqartësia e kodit zgjedhor, vakumit ligjor në të, veçanërisht për zgjedhjet vendore që nuk saktëson formën dhe mënyrën e balancimit të subjekteve, veçanërisht në kushtet kur vetë partitë nuk paraqiten me të njëjtin intensitet të aktiviteteve elektorale.

Top Channel