Australia kërkon nga vendet aziatike që të luftojnë ISIS-in

11/06/2015 00:00

Kryeministri australian, Tony Abbott, i ka kërkuar vendeve aziatike që të luftojnë ISIS-in, pasi ky grup terrorist ka qëllime globale. Në një konferencë në Sidnei mbi propagandën e terrorit, Abbott tha se ISIS-i kërkon të shtrijë tentakulat e tij ngado dhe për këtë arsye askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi.

Në samitin 2-ditor rajonal të sigurisë në të cilin mori fjalën kryeministri i Australisë, marrin pjesë ministra nga 25 vende, përfshirë Malajzinë, Singaporin, Japoninë, Laosin dhe Vietnamin.

“ISIS-i do të kërcënojë çdo qeveri nëse do i jepet mundësia. Do vijnë me mesazhin e qartë: nënshtrohuni ose vdisni. Nuk mund të negociosh me diçka të tillë, vetëm mund ta luftosh. Ky nuk është terrorizëm për qëllime rajonale, por për qëllime globale”, tha Abbott.

Deklarata e Abbott vjen pasi presidenti amerikan Barack Obama miratoi dërgimin e 450 ushtarakëve në Irak që do të shërbejnë për stërvitjen e forcave që luftojnë ISIS-in.

Top Channel