Qindra banorë nga fshati grek Distomo kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 71-vjetorit të masakrës së Luftës së Dytë Botërore, kur nazistët vranë 218 burra, gra dhe fëmijë, duke përfshirë edhe foshnja, në 10 qershor të vitit 1944.

Të mbijetuar dhe të afërm të viktimave që kanë humbur tashmë shpresën se do të marrin ndonjëherë kompensimet për krimet e nazistëve, por edhe ambasadorja e Gjermanisë në Athinë dhe politikanë nga partitë e majta gjermane, janë bashkuar në procesionin përkujtimor pranë monumentit mbi një kodër me pamje nga fshati.

Christine Buchholz, deputete e partisë Die Linke, u shpreh: “Jam këtu që të shpreh solidaritetin tim për familjet e viktimave të masakrës së nazistëve këtu në Distomo. Edhe unë dua të kujtohet që Gjermania nuk ka paguar kompensimet deri tani për viktimat dhe kjo është diçka shumë e keqe”.

“Pretendimet tona kombëtare në lidhje me krimet kundër banorëve të Distomos do të zgjidhen në forumet kompetente gjyqësore, siç ndodh me vendet e qytetëruara dhe mike, veçanërisht në këto kohë kritike”, ka deklaruar presidenti grek Pavlopoulos që ndodhej i pranishëm në ceremoni bashkë me kryeparlamentaren e Greqisë.

Zoi Konstandopoulou, kryetarja e Parlamentit grek, theksoi: “Kjo është një kërkesë historike dhe ekziston një borxh historik nga ana e Gjermanisë. Gjermania e cila tani po kërkon detyrimet ndaj Athinës, nuk duhet të harrojë se i ka borxhe Greqisë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Berlini i ka paguar Athinës një shumë parash në vitin 1960 për reparacionet e luftës, duke e quajtur çështjen ligjërisht të mbyllur, por shumë të mbijetuar dhe familjarë të viktimave deklarojnë se nuk kanë marrë kurrë kompensim. Qeveritë ndër dekada nuk kanë pasur vullnet politik për të nxitur më shumë pretendimet dhe një betejë gjyqësore e banorëve është humbur, megjithëse Gjermania ka pranuar përgjegjësitë e saj historike.

Por, prej viti 2012, çështja është rindezur nga partitë opozitare duke shtuar tensionin në marrëdhëniet Berlin-Athinë. Tashmë, radikalët e majtë në fuqi, kanë ngritur një komision parlamentar i cili duke shqyrtuar dëmshpërblimet, shlyerjen e kredisë së pushtimit dhe kthimin e thesarëve arkeologjike të vjedhura ka konkluduar se shuma që duhet t’i rikthejë Gjermania Greqisë shkon në 340 miliardë euro, pak më shumë sesa borxhi aktual grek ndaj huadhënësve.

Top Channel