Dako, në Durrës dhe Perlat: Armiku ynë, papunësia

11/06/2015 00:00

Kandidati i majtë për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako ka shpalosur programin e tij para banorëve të lagjes nr. 8. Ai tha se në 4-vjeçarin e ardhshëm do të përmirësohet cilësia e jetës së banorëve të vjetër e të rinj të Durrësit.

Ai ka shpalosur programin e tij për uljen e papunësië dhe zbutjen e varfërisë. Ndërtimi i Parkut Industrial në zonën e Spitallës, në bashkëpunim me qeverinë, vlerësohet si një projekt i rëndësishëm që u jep zgjidhje e këtyre problemeve.

“Armiku ynë është papunësia! Armiku ynë është varfëria! Ne na duhet t’i luftojmë, si papunësinë, ashtu edhe varfërinë, nëpërmjet projekteve që synojnë zbutjen e tyre. Dhe një nga projektet më të mëdha që do të sjellë zhvillim është krijimi i vendeve të reja të punës. Jo larg prej këtu, në zonën e Spitallës, do të ndërtohet një Park Industrial, një Zonë e Lirë Ekonomike, e cila do të krijojë mijëra vende pune”, tha Dako.

Më pas, ai është takuar me banorët e Perlatit në Sukth. Së shpejti, tha Dako, në këtë zonë do të nisë dhe investimi prej 6 milionë euro i OSHEE-së. Ky investim pritet të rrisë ndjeshëm cilësinë e furnizimit të banesave me energji elektrike, duke nxjerrë jashtë funksionit linjat e vjetra.

Top Channel