Pranga administratores dhe inxhinierit të ndërtimit, u sekuestrohet pallati 10-katësh

11/06/2015 00:00

Administratorja e një firme ndërtimi dhe inxhinieri i saj janë arrestuar për ndërtim pa leje, ndërsa është sekuestruar pallati 10-katësh në Tiranë, pasi projekti i zbatuar prej tyre kishte dalë jashtë parashikimeve.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës konfirmuan arrestimin e shtetases Nadire Qinami (Dano), 58 vjeçe, administratore e firmës së ndërtimit “Brilant” shpk, dhe të 34-vjeçarit Enea Koçiasi, inxhinier pranë kësaj firme ndërtimi.
 
Arrestimi u krye nga efektivë të Komisariatit nr.2, në bashkëpunim me Seksionin për Korrupsionin.
 
“Projekti i pallatit të projektuar nga firma ‘Brilant’ shpk ishte për 7 kate. Por atij I janë shtuar edhe 3 kate të tjerë. Arrestimi ka ardhur për shkak të shtesës me tre kate”, shtuan burimet policore.
 
Gjithashtu, është vendosur sekuestro preventive ndaj pallatit 10-katësh që ndodhet tek rruga “Frederik Shiroka”, pranë zonës së njohur të “21 Dhjetorit”, në Tiranë.
 
Policia tha se materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për dy akuza: “ndërtim i paligjshëm” dhe “dhënie e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.

Top Channel