Duma, në Durrës: Mandatin e ardhshëm do të ndërtojmë 500 banesa sociale

11/06/2015 00:00

Kandidatja e djathtë për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, ka premtuar se mandatin e ardhshëm bashkia do të ndërtojë 500 banesa sociale. Znj. Duma u takua me banorët e lagjes nr. 16 të qytetit.

“15 mijë vende pune në fund të katër viteve që do të thotë luftë frontale ndaj papunësisë dhe varfërisë. Janë 5 mijë aplikime për strehim dhe në 8 vite u propozuan 340 banesa. në 8 vite u realizuan 120 dhe me këtë ritëm duhen nja 50 mandate për të kaluar kërkesat aktuale. Banesat sociale do të zgjidhen duke përdorur një pjesë të madhe të pronave të bashkisë për zgjidhjen e problemit të strehimit, ç’ka do të thotë që në fund të mandatit ne do të kemi 500 banesa sociale”, tha Duma.

Duma tha se do t’i jepet zgjidhje mungesës së parkimit në zona të ngarkuara, si në atë të Plazhit, në Currila etj. Po ashtu, Bashkia do të manaxhojë krejt ndryshe pastrimin dhe mbetjet në qytet.

“Rikostruksioni duhet të jetë në këtë standard: me ndriçim, me stola, me gjelbërim. Po nuk qe kështu, nuk është investim, nuk është rrugë. Dhe po nuk qe kështu, atëherë nuk kemi bërë asgjë, përveçse dëm edhe këtë investimin e parë. Sot, edhe në mandatin e tretë nuk propozohet asgjë për pastërtinë e qytetit. Thuhet prapë landfill, Që nuk është gjë tjetër veçse një fushë me mbeturina, që digjen atje. Zgjidhja e madhe me mbetjet është standardi që do vendosim: çdo 150 metra do të kemi 3 kosha plehrash me ngjyra, ku do ndajmë plastikën nga letra dhe qelqi. Sot do të fillojmë të shkojmë drejt programeve të punësimit që do të thotë: ulja e taksave për të gjitha bizneset me 30%. Do kemi 3 pika parkimi vertikal në zonën e plazhit, në zonën e Currilave dhe në stacionit e autobusëve”, u shpreh Duma.

Top Channel