Cara: Ja prova për një nga rekordet kriminale të Ervin Rroshit

11/06/2015 00:00

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Kavajës, Ëngjëll Cara prezantoi projektin e tij në fshatin Bogo, të komunës Synej. Prioritetet në këtë fshat janë punësimi dhe zhvillimi i turizmit, meqë ky fshat është një pikë turistike e paprekur dhe e paeksploruar deri më sot, siç është zona e “Forsilukut”.

“Që në momentin e parë do të bëhet rruga për në Forsiluk. Do ta bëjmë plazh publik për banorët e Bagosë, Synejit dhe të gjithë Kavajës së re”, tha Cara. Përsa i përket punësimit, kandidati i djathtë theksoi se çdo shtëpi do të ketë minimumi një të punësuar.

“Marrim zotimin që çdo familje e kësaj zone të ketë të punësuar një pjesëtar të familjes”, tha Cara.

Më tej, ai zbuloi për banorët se kandidati i majtë Ervin Rroshi është një person i dënuar në mungesë në vitin 2000, për plagosje me dashje: “Sot, ne kemi një dokument në dorë që flet për dënimin e Ervin Rroshit, pavarësisht që gjykatat e asaj kohe ishin të Fatos Nanos e të Rexhep Meidanit, ai është dënuar me vendim të Gjykatës së Parë në mungesë”.

Top Channel