Kosova: Investime në ujësjellës, rindërtim rrjeteve dhe ujëmbledhësve

11/06/2015 00:00

Doktor Halim Kosova ka premtuar gjatë gjithë fushatës së tij elektorale ujë të pijshëm 24 orë për të gjithë Tiranën, brenda mandatit të parë. I shoqëruar nga specialistë, ai shpjegoi me detaje të gjithë projektin e tij se si do ta realizojë këtë premtim.

“Do të bëjmë rikonstruksionin e burimeve të Selitës dhe Bovillës, sigurimin e mbrojtjes dhe parametrave të cilësisë së ujit në të gjitha burimet, puset dhe stacionet e pompimit. Rikonstruksioni i 15 kilometrave linjë ekzistuese transmetimi dhe ndërtimi i 18 km linja të reja. Efekti i këtyre investimeve do të reduktojë humbjet në transmetim nga burimi në depo dhe shtimin e prurjeve me 500 litra ujë në sekondë. Gjithashtu, në planin tonë është edhe ndërtimi i 3 depove të reja për arritjen e qëllimit tonë për ujë në 24 orë”, deklaroi Kosova.

Doktor Kosova premtoi se të gjitha fshatrat e rrethit të Tiranës që do t’i bashkohen bashkisë do të përfitojnë nga projekti i tij.

“Bashkë me fondin përkatës, në mënyrë që brenda mandatit të ardhshëm të gjithë banorët e Tiranës të kenë ujë 24 orë dhe me cilësinë që kërkon shëndeti i secilit nga ne”, shtoi Kosova.

Top Channel