Prej orës gjashtë të mëngjesit të së enjtes, ashtu siç deklarojnë me emocione të dukshme edhe prezantuesit e emisionit duke hapur transmetimet, sinjali i televizionit shteteror ERT, me logon tashmë të rivendosur ashtu siç ka qenë, ndodhet në çdo ekran të grekëve.

Dy vjet pasi qeveria e Samaras dhe Venizellos mbylli brenda një dite televizionin historik të Greqisë, qeveria “Tsipras”, duke mbajtur premtimin, e ka rihapur atë, ashtu siç ka qenë në 11 qershorin e vitit 2013, duke risjellë në vendet e tyre të punës rreth 2500 punonjësit që u flakën në rrugë në një ngjarje të paprecedent në Europën moderne.

“Pas dy vitesh është rikthyer përsëri ‘ngjyra’ në televizor dhe është rivendosur demokracia përsa i përket prodhimit dhe shpërndarjes së informacionit, që janë asete publike. Televizioni publik ndodhet përsëri në shtëpitë e grekëve. Vlerësoj se kjo është shumë e rëndësishme. Mbetet për t’u parë nëse në këtë mënyrë e vleresojnë edhe vetë qytetarët”, deklaroi Lambis Tagmatarkis, drejtor i Përgjithshëm i ERT.

Televizioni publik do të funksionojë përsëri me tre kanalet televizive; ERT1 dhe ERT2 në Athinë, si dhe ERT3 në Selanik. Ky i fundit do të rifillojë transmetimin normalisht pas disa ditësh, pasi të rikthehen në gjendjen normale aparaturat dhe baza teknike e papërdorur për dy vjet, ndërsa do të ketë edhe një program të katërt në HD.

Gjithashtu, kanë filluar transmetimet e lajmeve dhe të informacioneve të gjitha kanalet radiofonike publike në mbarë vendin, që kishin mundësi teknike për rifunksionim të plotë. Ceremonia festive në mbrëmje përmban shfaqjen e filmit dokumentar të vlerësuar me çmime të ndryshme, “Sinjali i humbur i demokracisë”.

Pritet një pjesëmarrje e madhe e shumë prej anëtarëve të qeverisë greke, të cilët së bashku me personalitete nga fushat e ndryshme u ndodhën pranë nëpunësve të këtij kanali që nuk rreshtën për dy vjet, duke u përpjekur për ta rihapur kanalin, ku do të pasqyrohen me vërtetësi dhe objektivitet problemet e shoqërisë, sidomos në momentet që po përjeton Greqia.

Top Channel