Policia: Masat tona për pelegrinazhin në Kishën e Laçit

11/06/2015 00:00

Policia e Lezhës njoftoi se ka marrë masa për festimet e pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout në Laç. Për shkak të fluksit të lartë të pelegrinëve pritet të ketë shtim të numrit të automjeteve në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe lokale në zonë.

Në bashkëpunim dhe me Bashkinë e Laçit, policia ka përcaktuar edhe vendparkimet e mjeteve jashtë rrugëve urbane. Vendet e mundshme për parkimet e mjeteve gjatë dy ditëve (12 dhe 13 qershor) janë jashtë rrugëve urbane dytësore dhe me parkingje të miratuara e të improvizuara për këto ditë. Në parkingjet e improvizuara do të ketë persona përgjegjës për rregullimin dhe ruajtjen e automjeteve.

“Janë caktuar mjete të shërbimit publik, të licencuar nga Bashkia, që do të kryejnë transportin e udhëtarëve të sëmurë e të pamundur, në mënyrë të sigurt për në Kishën e Shna Ndout dhe kthimin e tyre”, bënë të ditur burime zyrtare.

Prej orës 08.00 të 12 qershorit deri në orën 24.00 të 13 qershorit nuk do të lejohen automjete në drejtim të Kishës së Laçit.

Top Channel