Skandali me rimbursimin e ilaçeve, dorëhiqet drejtori i FSDKSH-së, Astrit Beci

11/06/2015 00:00

Pas skandalit të vjedhjes nëpërmjet skemës së barnave të rimbursueshme, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme drejtori i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci.

Në faqen zyrtare të Fondit është bërë publike  një deklaratë e zotit Astrit Beci, ku shpjegohet  se, “dorëheqja bëhet  në shprehje të përgjegjshmërisë së lartë institucionale, për t’i hapur  rrugën hetimeve”.

Beci sqaron se, “ka qenë ai që ka kërkuar hetim penal për përfitimet e paligjshme  të disa subjekteve  farmaceutike që u gjetën në skemën e rimbursimit. Për këtë, sipas tij, i takon  institucioneve të drejtësisë t’i shkojnë deri në fund politikës “zero tolerancë” ndaj korrupsionit që  është ndjekur deri më tani në institucionin e FSDKSH-së”, theksohet në deklaratën e ish drejtorit të FSDKSH

Menjëherë pas projekt-raportit  të auditit janë dërguar në drejtorinë rajonale të Tiranës masat administrative dhe disiplinore të cilat do të ndiqen  më tej nga pasardhësi i Becit në krye të FSDKSH .

Ndërkohë deri më tani lidhur me skandalin e barnave janë arrestuar drejtori i Fondit Rajonal të Tiranës, Pjerin Xhuvani si dhe Hysni Roci, personi kryesor në skemën e mashtrimit, i cili fshihej pas 4 farmacive fiktive që merrnin para nga buxheti i shtetit në sajë të rimbursimit me receta që nuk ishin lëshuar kurrë.

Hetimet kane zbuluar se edhe firmat dhe vulat e mjekëve që ishin në receta ishin të rreme e madje ilaçet e shënuara në receta ishin jashtë normës së përdorimit apo llojit të sëmundjes.

Janë rreth 200 farmaci që po hetohen për implikim në këtë skandal, disa prej të cilave i përkasin familjarëve të zv.drejtorit të Fondit, Sokol Skura. Mësohet se Fondi i është drejtuar ILDKP-së për të mësuar nëse ka apo jo konflik interesi në këtë rast.

Përveç farmacistëve pjesë e skemës së mashtrimit mendohet të jenë edhe infermierë të poliklinkave të cilët kundrejt përfitimeve siguronin receta të plotësuara apo dhe blloqe recetash që mbanin thjeshtë vulën e mjekut.

Top Channel