PD: Krahu kriminal i dyshes Rama-Meta po kërcënon kandidatët tanë

11/06/2015 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar ashpër paraditen e së enjtes presionet dhe kërcënimet që, sipas saj, po bëhen ndaj kandidatëve të djathtë në zgjedhje, nga ai që e quajti “kontigjenti kriminal që po operon në krah të dyshes Rama-Meta”.

“Kandidati i Aleancës për Punë e Dinjitet për Pogradecin, Eduart Kapri ka marrë një mesazh kërcënues, të tipit mafioz, ku i kërkohet të tërhiqet për tre ditë nga gara, në të kundërt ai do të ketë pasoja të rënda. Eduart Kapri garon përballë kandidatit të Ilir Metës. Ky kërcënim brutal, kriminal dhe i paprecedent vjen 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, në kohën kur të gjitha të dhënat flasin për një fitore të padiskutueshme të Eduart Kaprit në Pogradec”, ka deklaruar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

Ai është shprehur se, kjo vjen si pasojë e dështimit të koalicionit të majtë në mbajtjen e premtimeve para elektoratit dhe rrjedhimisht nga frika e humbjes në zgjedhje.

“Pasi kanë dështuar në të gjitha premtimet e tyre, pasi vijnë në këto zgjedhje pa bilanc dhe pa ofertë, tani u ka mbetur vetëm një zgjidhje, të mos ketë zgjedhje. Dhe për këtë përdorin dorën mafioze për të kërcënuar dhe ushtruar presion”, ka thënë Paloka.

“I bëjmë sot të ditur Ilir Metës dhe ortakut të tij Rama, se Partia Demokratike i mban ata të dy drejpërdrejt përgjegjës nëse një fije floku u preket kandidatëve tanë, njerëzve të tyre dhe çdo demokrati e qytetari të përfshirë në këto zgjedhje. Ndërkohë, i kërkojmë prokurorisë të reagojë me shpejtësi, të hetojë dhe të zbulojë autorin e porositësin e këtij kërcënimi dhe ta vendosë atë para ligjit”, ka shtuar Paloka.

Top Channel