Lezhë, pranga gjyqtares dhe avokatit. Arrestohen ndërsa ndanin paratë

11/06/2015 00:00

Gjyqtarja e rrethit gjyqësor në Lezhë, Parashqevi Ademi, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kushtet e flagrancës. Së bashku me të, prangat i janë hedhur në gjykatë edhe avokatit Gjovalin Ndoka.

Sipas prokurorisë, arrestimi i të dyve u krye për veprën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim, ndërsa janë sekuestruar si provë materiale edhe 200 mijë lekë të reja, që të dyshuarit po i ndanin me njëri-tjetrin.

Prokuroria thotë se hetimet janë ndjekur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka kompetencë hetimin e veprës së korrupsionit.

Çështja është regjistruar pas kallëzimit të një shtetasi, i cili ka vënë në dijeni autoritetet se i kërkoheshin lekë për të shpallur një vendim në favor të tij.

Ditën e mërkurë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë edhe një autorizim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për arrestimin e gjyqtares Ademi, ndërkohë që operacioni është kryer me taktika stimuluese, sopas prokurorisë.

Kjo çështje është ndjekur dhe investiguar hap pas hapi nga emisioni “Fiks Fare”, pas marrjes se denoncimit nga një qytetar.

Top Channel