Gjykata Speciale, BE zhvlerëson rekomandimet e palës kosovare për draftin

11/06/2015 00:00

Bashkimi Europian e ka vënë në pozitë të vështirë Kosovën, duke zhvlerësuar të gjitha rekomandimet e palës kosovare për të ndryshuar projektligjin, e hartuar nga BE për Gjykatën Speciale për krimet e luftës.

Zyrtarë të lartë të BE-së u kanë bërë të qartë udhëheqësve të institucioneve kosovare se, ose do ta miratojnë Gjykatën Speciale ashtu siç e ka propozuar Brukseli, ose ajo do të miratohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ky moment i hedhjes poshtë i të gjithë punës që ka bërë ekipi i ekspertëve kosovarë; që përbëhej nga zyrtarë të Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit; ka bërë që tashmë nga ana e Kosovës, me Gjykatën Speciale të merren vetëm kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi.

Mësohet se zyra e Presidentes, Atifete Jahjaga, tanimë nuk është pjesë e procesit, pasi çështja ka ngecur vetëm te votat në Kuvend, që i përcaktojnë forcat politike parlamentare.

Zyrtarë të qeverisë, që kishin hartuar rekomandime për të ndryshuar draftin e shkruar në Bruksel, kanë treguar për Top Channel, në kushtet e anonimitetit se, pa rekomandimet e palës kosovare, Gjykata Speciale nuk do të ketë afat përfundimi të mandatit.

Po ashtu, ekipi i ekspertëve kosovarë kishte rekomanduar heqjen e fjalës gjenocid, që ndodhet në projektligj, dhe disa terma të tjerë, që e njollosin luftën e UÇK-së, por edhe e cënojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë. Por, pavarësisht rekomandimeve, ato janë hedhur të gjitha poshtë.

Tani, udhëheqësve të institucioneve të Kosovës u ka mbetur të vendosin përfundimisht për kohën se kur do ta votojnë projektligjin për Gjykatën Speciale që do t’i hapë rrugë formimit të gjykatës, e cila do të gjykojë krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja.

Top Channel