Ende problematike ndotja e ajrit, por të dhënat tregojnë përmirësim

11/06/2015 00:00

Shqiptarët vijojnë të thithin çdo ditë ajër të ndotur, ndonëse të dhënat tregojnë se situata ka filluar të përmirësohet.

Matjet e kryera nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në 6 qytete të vendit gjatë 5 muajve të këtij viti tregojnë se ajri në Tiranë, Elbasan dhe Fier, është disa herë më i ndotur se sa normat e vendosura nga Bashkimi Europian, por më të ulëta se sa ka qenë ndotja disa vite më parë.

Kreu i kësaj Agjencie, Julian Beqiri tregon se trafiku i rënduar, mungesa e sipërfaqeve të gjelbërta, cilësia e karburantit, ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit që ne thithim çdo ditë.
 
“Tre qytetet më të ndotura nga monitorimi që AKM ka bërë janë: Tirana, Elbasani dhe Fieri. Tirana është më shumë një ndotje trafiku dhe nga mbingarkimi urban, kurse qytetet e Elbasanit dhe të Fierit kanë edhe probleme të ndotjes industriale. Në Fier kemi bërë matje gjatë muajit prill, mos gaboj, në kohën që ndodhi dhe problemi në Marinzë, dhe bëmë matje si në Marinzë, si në qytet. Dioksidi i squfurit ishte në nivel të lartë, krahasimisht me qytete të tjera”, thotë Julian Beqiri, drejtor i AKM-së.

Agjencia Europiane e Mjedisit po bashkëpunon ngushtë me ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për të krijuar një pamje të qartë të gjendjes mjedisore në Shqipërinë, në mënyrë që ndërhyrjet të jenë sa më eficente. Koordinatori i rrjetit europian te  Informacionit dhe Observimit Mjedisor, Bert Jansen, tha se ka patur përmirësim në treguesit e ndotjes së ajrit, por nevojitet plotësimi i të dhënave në mënyrë që të merren vendime të rëndësishme në këtë drejtim, një pjesë e të cilave janë politike.

“Kemi një përmirësim të ndjeshëm përsa i përket mbledhjes së të dhënave dhe monitorimit të situatës mjedisore në Shqipëri, edhe pse ka ende shumë punë për të bërë. Për të bërë zgjedhjet e duhura na duhet një pamje sa më e qartë e gjendjes mjedisore, pra, të dhëna të sakta që na ndihmojnë se si dhe ku duhet të ndërhyhet. Politikanët mund të japin zgjidhje të mira, nëse janë të mirëinformuar, në të kundërtën zgjedhjet e tyre mund të jenë aspak produktive”, tha Bert Jansen, koordinator i Rrjetit të EIONET.

Shqipëria po përballet me shumë sfida mjedisore, që lidhen direkt me cilësinë e jetës së shqiptarëve. Ekspertët shprehen se duhet të merren masa urgjente për përmirësimin e ajrit, të ujërave por edhe të menaxhimit të mbetjeve, sfida që kërkojnë mbështjetje politike, por edhe financiare.

Top Channel