Komuna e Prishtinës prezanton “certifikatat dixhitale” me vetëshërbim

11/06/2015 00:00

Komuna e Prishtinës prezantoi “vetëshërbimin e parë dixhital”, përmes të cilit qytetarët mund ta nxjerrin vetë certifikatën e lindjes. Pajisja dixhitale, ku qytetarët mund t’i kryejnë vetë veprimet, pa praninë e punonjësve të komunës, është vendosur në objektin e Komunës së vjetër në Prishtinë.

Ky lloj vetëshërbimi dixhital funksionon 24 orë, në 7 ditë të javës, ndërsa për t’u pajisur me ekstrakt mjafton vetëm letërnjoftimi dhe një pagesë prej 1 euro.

“Ky shërbim, sot do të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Pra, qytetarët, edhe nëse vijnë në mbrëmje, nëqoftëse janë në Regjistrin Civil dhe kanë marrë ndonjëherë ekstrakt me një proces tepër të thjeshtë me letërnjoftimin e tyre, mund ta shtypin ekstraktin e lindjes, certifikatën e lindjes, por edhe certifikatat e tjera”, tha Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndërkohë që po demonstronte funksionimin e këtij shërbimi, u shpreh i kënaqur, që ky shërbim i ri iu ofrua qytetarëve, pikërisht në ditën e çlirimit të Prishtinës.

Lulzim Ejupi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, tha se, në bazë të suksesit në Prishtinë, ky projekt do të shpërndahet edhe në komunat e tjera në Kosovë.

“Tani e tutje, shërbimi i qytetarëve do të jetë 24 orë në ditë dhe në të ardhmen, shërbimet do të jenë shumë më efikase. Ky projekt pilot, nëqoftëse do të implementohet në mënyrë shumë të mirë dhe do të funksionojë mirë nesër e pasnesër, shpresoj që në aspektin strategjik do të bashkëpunojmë edhe me komunat e tjera, që shërbimi i qytetarëve të jetë shumë më efikas”, tha Lulzim Ejupi, drejtor i Përgjithshëm i ARC.

Ndërsa Muhedin Nushi, drejtori i Administratës në Prishtinë, tha se me këtë po fillon një erë e re, një vizion i ri në zhvillimin e shërbimeve, ose në ngritjen e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Projekti ka një kosto prej 14 mijë e 200 eurosh dhe është i pari i këtij lloji në Ballkan.

Top Channel