Turqi, Erdogan: Partitë të krijojnë qeverinë

11/06/2015 00:00

Perspektiva e një qeverie minorancë apo skenari i një ripërsëritjeje të zgjedhjeve duket se nuk janë ato çfarë dëshiron Presidenti turk, i cili u ka bërë thirrje partive politike të vendit të lënë mënjanë egon e tyre e të krijojnë sa më shpejtë të jetë e mundur qeverinë e re.

Ky është i pari koment publik i Rexhep Erdogan qëkur partia e tij AKP humbi shumicën parlamentare në votimet e 7 qershorit. Të gjitha palët, – tha Erdogan në kryeqytetin Ankara, duke thyer heshtjen disaditore, – duhet ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve, pasi ai dëshmon vullnetin e popullit.

“Historia do t’i gjykojë të gjithë ata që e braktisin politikisht Turqinë. Ne nuk mund ta lëmë vendin pa një qeveri, pa një kryetar. Shpresoj që forcat politike të dëshmojnë se do të preferonin zgjidhjen përballe krizës”, deklaroi Presidenti turk.

Erdogan shtoi se do të bëjë pjesën e tij në gjetjen e kësaj zgjidhjeje kaq të nevojshme të situatës, dhe se askush nuk duhet të ketë dyshime që do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e veta konform Kushtetutës.

AKP-ja siguroi 41% të votave në zgjedhjet e së dielës, një rënie e ndjeshme kjo krahasuar me preferencën e qartë të elektoratit për të 4 vjet më parë.

Nga momenti i shpalljes së rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, çka nuk ka ndodhur ende, dokumenti themeltar i vendit jep 45 ditë kohë për krijimin e ekzekutivit, dhe në mungesë të arritjes së një marrëveshjeje koalicioni, AKP-ja duhet të kënaqet me një qeveri pakicë ose vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Top Channel