Kuvend, debate për shit-blerjen e votës. Patozi: Spoti i LSI, njësoj sikur ISIS të bëjë thirrje kundër terrorit

11/06/2015 00:00

Tensionet në Parlament mes PD-së dhe LSI-së janë përshkallëzuar seancën e kësaj të enjteje, duke paralajmëruar një garë më të ashpër në bashkitë, ku përballen këto dy parti.

Ka qenë një deklaratë e Luan Ramës për shtim fiktiv të votuesve në Vorë nga kandidati demokrat atje, që ka shkaktuar reagimin e Fatmir Mediut.

Luan Rama: O Fatmir, viktima në Gërdec kishte edhe nga Martaneshi. Unë jam nga Martaneshi.

Fatmir Mediu, kryetar i PR-së: Ju keni më shumë se një muaj me banditë në Vorë, më shumë se një muaj që çdo natë me Policinë e Shtetit, merrni, arrestoni dhe mbani çdo natë nga 10 veta. Kjo është situata më problematike që mund të ndodhë me manipulimin që keni përgatitur. Mbani ca garipa rreth e rrotull dhe duket sikur jeni bërë azganët e kësaj bote dhe dini t’u bëni ballë kujtdo.

Ndërsa Mediu replikonte nga vendi me Ramën, një tjetër deputet i LSI-së i kundërpërgjigj kreut republikan nga vendi, duke shkuar deri në prag të konfliktit fizik, që nuk është kapur dot nga kamerat.

Deputetët konfirmojnë se Mediu e ka ftuar deputetin e Fierit të LSI-së të dalin për t’u përballur jashtë, por ka qenë ndërhyrja e Gardës dhe deputetëve të tjerë që ka ndaluar konfrontimin mes tyre.

Pas këtij momenti, kryetari i Kuvendit ka zbritur në foltore duke bërë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe distancim nga përbaltja e zgjedhjeve.

“Dëshira për të baltosur zgjedhjet në të shumtën e rasteve pa arsye dhe pa fakte nuk është në të mirën e askujt”, tha Meta.

Ky ishte momenti kulmor i seancës, që nisi gjithashtu me përballje mes demokratëve dhe Metës. Astrit Patozi cilësoi si poshtërues për shqiptarët, spoti i publikuar nga LSI-së, që kërkon denoncimin e vjedhjes së votës, në një kohë që sipas tij, është kjo parti që po ngre në sistem këtë fenomen.

Astrit Patozi, deputeti i PD: Ai spot duhet të ndalet së transmetuari, është njësoj sikur ISIS t’i bëjë thirrje botës se duhet të ruhet nga terrorizmi. U drejtohem në radhë të parë kolegëve të shumicës. Ne duhet të reagojmë ndaj kësaj sëmundjeje që rrezikon të na përpijë të gjithëve. Mos iu gëzoni sot asaj fryrjes artificiale se jeni shtuar dhe mund të shtoheni prap, dhe as rezultatit të deformuar që mund të sjellë ndoshta nesër blerja masive e votave, nga ata që kanë bërë spotin, sepse jeni të parët në radhë, në mos e keni brenda molën që do ta ndjeni vetëm kur t’ju bjerë çatia nga trarët e ngrenë.

Ilir Meta, kryetar i Kuvendit: Ai spot nuk ndalon! Ai spot është për qytetarët që të denoncojnë cilindo që kërkon të blejë votën e tyre. juve ju dhemb shumë ai spot sepse për zgjedhje më të mira mbani ato të vitit ’96 dhe së dyti si modelin më të mirë të zgjedhjeve.

Astrit Patozi: Më kujtohet një reportazh i gazetës Tema pas zgjedhjeve të tmerrshme dhe më të këqijat që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, zgjedhjet e 2001, këtu e 14 vite të shkuara. Të më ndjeni për fjalorin, titulli ishte: “S’pj*rdh Ilir nga ODHIR-i”!

Ilir Meta: Mendoja se ju kishit një shkallë integriteti. Nuk mbaj përgjegjësi unë që ju gjithë javën bëni plazh dhe vini vetëm të enjten këtu dhe flisni për manipulime dhe fajin ua faturoni të tjerëve pse nuk ju duan njerëzit.

Astrit Patozi: Në vitin ’96 kemi qenë duke bashkëpunuar për të spiunuar Fatos Nano.

Ilir Meta: Do bashkëpunojmë prap, mos ki merak!

Astrit Patozi: Kemi qenë edhe para 3 vjetësh për të bërë copë Edi Ramën! Ndoshta do na bjerë rasti të bashkëpunojmë prapë. Unë te Partia Demokratike do të jem gjithmonë.

Ilir Meta: Ti vetëm hallin e Vorës ke. Ti vetëm hallin e Fiqos ke. Nuk ke pse nxehesh. Merre me qetësi dhe dashuri!

Astrit Patozi: Mbajë të paktën një vit sloganin se të kanë rënë të dy degët e tij, edhe qetësia edhe dashuria, të cilën s’e ke pasur kurrë.   

Top Channel