Kelmendi kërkon sqarime nga strukturat shtetërore të sigurisë. Reagon edhe Haradinaj

11/06/2015 00:00

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muhamet Kelmendi, u ka dërguar një letër ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit, drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit, dhe kryeshefit të Inspektoriatit të Policisë, Fitim Shishani, nga të cilët kërkon sqarime në lidhje me arrestimin e tij, ditën e mërkurë në Mitrovicë.

“Dje (të mërkurën) në orën 14:30 në Mitrovicë, Policia e Kosovës më ka arrestuar në prani edhe të kamerave televizive pa asnjë shpjegim, duke i dhënë pretekst çdokujt që të zbrazë mbi personalitetin tim lloj-lloj shpifjesh dhe insinuatash të paimagjinueshme”, thuhet në letrën publike të Kelmendit.

Ai kërkon nga të zyrtarët e sipërpërmendur, që duke pasur parasysh moshën, familjen, profesionin dhe veprimtarinë e tij politike dhe publike, të japin një sqarim në lidhje me ngjarjen e një dite më parë.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur kritika të ashpra ndaj pushtetit aktual, lidhur me aksionin e policisë së Kosovës për arrestimin e Muhamet Kelmendit.

Në profilin e tij zyrtar në Facebook, Haradinaj ka shkruar ndër të tjerash se, kur instrumentët shtetërore të sigurisë vihen në funksion të linçimit të personaliteteve publike, nuk mund të quhet ndryshe veçse terror sistematik i pushtetit ndaj zërave kundër.

“Pyetje për kryeministrat Mustafa-Thaçi: Kur instrumentët shtetërorë të sigurisë vihen në funksion të linçimit të personaliteteve publike, përmes arrestimeve spektakolare dhe, për më tepër, të një anëtari të Kryesisë së një partie opozitare, a mund të quhet ndryshe veçse terror sistematik i pushtetit ndaj një zëri ndryshe, ndaj një zëri të pastër opozitar? Tregoni, si do ndiheshit ju, sikur në rrethana të kundërta, kur ju do të ishit në opozitë, një nga anëtarët tuaj të Kryesisë do të ndalohej e arrestohej me inskenime ‘për terrorizëm’, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe?

Publikisht ju bëj thirrje t’i ndaloni praktikat e njollosjes së individëve dhe të personaliteteve, t’i ndaloni praktikat e njollosjes së kundërshtarëve politikë, ta ndaloni luftën speciale mediatike për njollosjen e AAK-së. A e dini që pushtetet ndërrohen?! Ky vend do të ketë qeverisje demokratike, së shpejti!”, shkruan Haradinaj në statusin e tij në Facebook, ndërsa pasditen e kësaj të enjteje AAK ka organizuar edhe një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.

Top Channel