Mitrovicë, sulmohet me armë selia e portalit “Kossev”; nuk ka të lënduar

11/06/2015 00:00

Persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në selinë e portalit “Kossev”, në veri të Mitrovicës, por për fat të mirë nuk ka të lënduar në njerëz, bëjnë të ditur burime të “KosovaPress”.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate mes të mërkurës dhe të enjtes, ndërsa dy plumba janë gjetur në hapësirat e selisë, që ndodhet në rrugën “Kralj Petar”, në veri të Mitrovicës.

Nuk dihet ende motivi i këtij sulmi. Incidentin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Besim Hoti. Sipas tij, pasi kanë ardhur sot në punë rreth orës 9:00, gazetarët kanë vërejtur dy vrima në dritare, të shkaktuara nga plumbat. Ai nuk ka dhënë shumë detaje, por ka thënë se, pjesëtarët e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe janë duke zhvilluar hetimet.

“KosovaPress” ka kontaktuar kryeredaktoren e portalit “Kossev”, Tatjana Llazareviç, e cila ka thënë se hetimet janë në proces dhe nuk mund të japë detaje, sepse nuk është në dijeni. Atë që mund të konfirmoj, – tha ajo, – është se deri tani janë gjetur gjurmë të dy plumbave në dritare, si dhe shumë gëzhoja në rrugë, së paku 9 të tilla.

“Dua të mendoj se deri tani nuk kemi pasur asnjë kërcënim. Si portal lokal jemi pjesë e komunitetit në veri të Mitrovicës, dhe si mjedis i vogël që jemi, pothuajse njihemi të gjithë mes nesh. Individualisht, siç vlerësojmë ne, gëzojmë besimin dhe respektin e qytetarëve”, ka thënë Llazareviç.

Top Channel