Bosi i mediave, Rupert Murdoch në prag të tërheqjes

11/06/2015 00:00

Rupert Murdoch, manjati 84-vjeçar i mediave dhe aksioner i studios kinematografike “21st Century Fox”, po bëhet gati të tërhiqet nga drejtimi i organeve mediatike në pronësi të tij dhe t’ia lërë stafetën të birit, James.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, të cilat citojnë burime të afërta me familjen Murdoch. Një njoftim pritet të vijë nga kjo e fundit së shpejti, edhe pse është e paqartë nëse riorganizimi i kompanive do të bëhet këtë vit, apo në fillim të 2016-s.

Gjithësesi, Murdoch do të vazhdojë të jetë drejtori ekzekutiv i Fox, ndërsa djali i tij Lachlan do të bëhet gjithashtu bashkëkryetar i kompanisë.

James Murdoch do të marrë nën drejtimin e tij menaxhimin e përditshëm e Fox dhe do të punojë me të vëllanë 43-vjeçar, Lachlan dhe të atin.

Burime të cilat së fundmi kanë qenë në kontakt me anëtarët e familjes Murdoch thonë se, ata i kanë ndarë planet në harmoni me njëri tjetrin dhe se dy vëllezërit do të punojnë në partneritet.

Një zëdhënës i Fox deklaroi se çështja e trashëgimisë ndodhet në krye të axhendës së drejtorit, për në mbledhjen e ardhshme të rregullt, por refuzoi të bënte komente të mëtejshme.

Në kuadër të rimenaxhimit të personelit të Fox, koordinatori Chase Carey do të tërhiqet nga detyra për një pozicion tjetër, ndoshta si këshilltar i kompanisë.

Carey, që nuk e ka komentuar lajmin, pritej në masë të gjerë të ushtronte të drejtën e tij për një çlirim të parakohshëm nga kontrata aktuale, që do t’i mundësonte largimin nga kompania, ku aderoi në vitin 2009, në fund të këtij viti.

Tani, burime konfidenciale thonë për CNBC se ka gjasa që ai të qëndrojë deri nga gjysma e vitit të ardhshëm.

Top Channel