Maqedoni, arrestohen 128 emigrantë ilegalë nga Lindja e Mesme

11/06/2015 00:00

Policia maqedonase ka arrestar 128 emigrantë ilegalë nga Siria, Iraku dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, të fshehur nëpër 5 shtëpi pranë një fshati kufitar me Serbinë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme, këtë të enjte.

Fshatarët kishin dhënë shtëpitë e tyre me qira ndaj emigrantëve, duke u marrë atyre 1500 euro në muaj, bëri të ditur zëdhënësi i ministrisë, Vlado Kostevski, i cili deklaroi më tej se 4 shtetas maqedonas do të akuzohen penalisht për trafikim qeniesh njerëzore.

Bastisja, që ndodhi në orët e para të mëngjesit në shtëpitë e fshatit Vaksince, erdhi vetëm një javë pasi rrjeti televiziv britanik “Channel 4” transmetoi një program, në të cilin raportohej se emigrantët po mbaheshin atje pa dëshirën e tyre.

Kotevski tha se klandestinët u kishin rrëfyer hetuesve se kishin mbërritur në Vaksince përmes Greqisë, me vullnetin e tyre. “Askush prej tyre nuk u ankua nëse ishte kërcënuar, madje asnjëri nuk ishte përfshirë në ndonjë listë të zezë”, tha Kotevski për reporterët.

Emigrantët, të cilët largohen prej luftrave, varfërisë dhe persekutimit në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikën Veriore, janë duke përdorur gjithnjë e më shpesh vendet e Ballkanit për të mbërritur më pas në Europën Perëndimore, rrugëtim ky që zgjat shumë më gjatë, por që është më i sigurt sesa përmes Mesdheut, ku qindra e mijëra emigrantë janë mbytur si pasojë e mjeteve lundruese të papërshtatshme dhe të tejmbushura.

Veç rastit të Vaksinces, policia në Serbinë fqinje njoftoi sërish këtë të enjte se kishte arrestuar dy oficerë policie dhe 6 persona të tjerë, të dyshuar për trafikim qeniesh njerëzore në këmbim të parave, nga Beogradi drejt Suboticas, pranë kufirit me Hungarinë, pjesë e Bashkimit Europian.

Top Channel